Teksa shumica e qytetarëve shqiptarë po luftojnë me pasiguri ekonomike dhe pasojat e krizave të shumta, shpenzimet marramendëse të kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës së tij pak ditë më parë në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë një goditje e fortë për besimin e qytetarëve tek qeverisja e tij. Duket sikur një pjesë e konsiderueshme e parave të taksapaguesve shqiptarë u shpenzuan në aktivitete, të cilat janë shumë larg interesave të përditshme të shqiptarëve, duke e kthyer vizitën e tij në një “show” elektoral dhe një shpenzim luksoz që ngre dyshime të forta për transparencën dhe përgjegjshmërinë e administratës. Sipas raportimeve, dyshohet se kryeministri Rama ka përdorur më shumë se 500 mijë dollarë për të realizuar një sërë aktivitetesh që, më shumë se sa një mision shtetëror, duket se ishin një fushatë elektorale në shërbim të ambicieve të tij politike.
Salla 100 mijë dollarë, siguria (securiti) për aktivitetin 80 mijë dollarë dhe posteri i madh në Time Square (billoboard-reklama) që njoftonte vizitën e Ramës, i cili dyshohet se kushtoi 61 mijë dollarë, janë vetëm disa nga shpenzimet që ngrejnë shumë pyetje. Po ashtu, biletat e në ndeshjen e basketbollit të NBA që thuhet se kushtonin 51 mijë dollarë, ku Rama ishte në rresht të parë dhe fjetja në një hotel luksoz në qendër të Nju York-ut me një kosto prej mbi 60 mijë dollarësh, nuk mund të kalojnë pa u vënë re, veçanërisht kur vëmë re se janë fonde publike që përdoren për aktivitete që asnjëherë nuk kanë të bëjnë me mirëqenien e qytetarëve. Këto shpenzime ku protagonistë janë shefi i qeverisë dhe ekipi i madh i njerëzve që e shoqëronin, ka ngritur dyshime të shumta, jo vetëm për mënyrën e menaxhimit të parasë publike, por edhe për marrëdhëniet e kryeministrit me individë të dyshimtë dhe të lidhur me lobime dhe interesa private. Një pyetje që i shkon krah për krah këtyre shpenzimeve të larta është se kush është biznesmeni që financoi këtë udhëtim dhe aktivitetet shoqëruese?
Burime të sigurta i thanë gazetës, se shpenzimet Ramës ia ka bërë një biznesmen, i cili dikur ka qenë “zari” i ish-kryeministrit Fatos Nano. Ky individ, që shumëkush e njeh si një ish-mik të ngushtë të Fatos Nanos, krijon dyshime të forta për një marrëdhënie të thellë dhe të mundshme të favorshme për agjendat e biznesit dhe politikës, përtej interesave të shtetit shqiptar. Kjo mund të jetë vetëm maja e ajsbergut, sepse nëse Rama është i gatshëm të harxhojë shuma të tilla për një vizitë jashtë vendit, si mund të jemi të sigurtë që paratë publike përdoren ndershëm për projektet që prekin direkt jetën e qytetarëve? Në fund, këto shpenzime dhe marrëdhënie të dyshimta ngrejnë një pyetje të madhe: a ka ndodhur një përdorim i keq i resurseve të shtetit për të përmbushur interesat private të një grushti të ngushtë biznesmenësh dhe politikanësh, të cilët shfrytëzojnë pozitat e tyre për të krijuar rrjete ndikimi dhe pasurim personal? Kjo situatë është një shenjë e fortë e mungesës së transparencës dhe e një qeverisjeje të përqendruar në interesat e ngushta të individëve dhe jo të shumicës së qytetarëve shqiptarë. Megjithatë theksojmë se të gjitha këto janë dyshime dhe i mbetet kryeministrit Edi Rama që të reagojë, e madje të bëjë transparencë.
