Njëri në “arrest me burg”, e tjetri në “arrest shtëpie”, por dy liderët e opozitës si Sali Berisha dhe Ilir Meta pretendojnë një rikthim në pushtet pas fitores së Donald Trump. Ata shpresojnë për një rikthim të jashtëzakonshëm në pushtet njësoj si presidenti i ri i SHBA. Gjithashtu, janë të shumtë edhe përkrahës të Berishës, të cilët po frymëzohen nga Trump dhe kërkojnë të njëjtin rikthim me fitore edhe nga lideri i PD në Shqipëri. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur një prej prezantuesve të Foltores së Berishës, Mariela Shkurta, e cila paralajmëron se siç e shkruaji Trump historinë, njësoj do ta bëjë edhe Sali Berisha.
Por aktivistja e njohur Evi Kokalari që jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka reaguar ashpër duke treguar se PD dhe Sali Berisha nuk mund të vijnë në pushtet. Kokalari, një mbrojtëse e fortë e politikave të Donald Trump shprehet se Berisha është një i korruptuar dhe bashkë me besnikët e tij nk kanë asnjë gjë të përbashkët me presidentin e ri të SHBA. “Berisha e provoi tashmë që është i korruptuar. Jeni të pacipë se si keni vjedhur demokratët dhe mbështetësit tuaj.”
“Ju s’keni asgjë të përbashkët me Trump apo demokracinë që triumfoi mbrëmë në Amerikë. Ju demokracinë e mbani peng!!,” shkruan Kokalari. Aktivistja ka paralajmëruar ditë edhe më të zeza për opozitën duke treguar se Berisha dhe mbështetësit e tij shumë shpejt rrezikojnë të mos jenë më as në opozitë. “Do ti vi dita dhe Shqipërisë! Opozita qe mbahet peng dhe feston Trumpin sot, është pengesa kryesore e ndryshimit radikal dhe mese te nevojshme në atë vend. Por do t’ju vijë radha dhe juve së shpejti. Mos kini asnjë dyshim për këtë”, shton aktivistja Evi Kokalari.
Berisha dhe Meta në delir
Ilir Meta u bë “nostalgjik” dje dhe postoi një foto nga koha kur takonte asokohe presidentin e SHBA-ve, Donald Trump. Në reagimin e tij, edhe pse nga burgu, Meta shkruan se Partia e Lirisë do të mbetet gjithmonë e angazhuar për forcimin e partneritetit mes dy vendeve. Ndërkohë Berisha, i cili gjithashtu kërkon një “rikthim” është fokusuar tek fitorja e thellë e zgjedhjeve nga republikani Donald Trump. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Berisha përmendi edhe George Soros, duke shkruar se qytetarët amerikanë votuan për shpëtimin e vendit të tyre. Me rastin e fitores, urimin e bëri në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, parti simotër prej tre dekadash e Partisë Republikane.
“Kombi i madh amerikan në zgjedhjet e tij më historike riktheu madhërishëm në Shtëpinë e Bardhë, President të 47-të të SHBA, Zotin Donald Trump. Me votën e tyre plebishitare, qytetarët amerikanët u ngritën mbi hipokrizinë, mashtrimin, përpjekjet për t’ iu diktuar me të gjitha mjetet udhëheqësin e tyre dhe rikthyen, zgjodhën për të ardhmen e ndritur që meritojnë, Donald Trump President të 47-të të vendit të tyre. Ata votuan për vlerat themelore të njeriut dhe njerëzimit që ndajnë dhe mbrojnë njerëzit e lirë në mbarë botën, votuan për begatimin e tyre dhe paqen në botë. Me Presidentin Donald Trump, SHBA, aleatët dhe partnerët e tyre në këtë kohë luftërash janë më të sigurtë se kurrë më parë. Por qytetarët amerikanë votuan gjithashtu për shpëtimin e vendit të tyre dhe jo vetëm atij nga mafia më e rrezikshme e kohërave, mafia e George Soros.
Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, parti simotër prej tre dekadash e Partisë Republikane, uroj përzemërsisht fitoren historike të Presidentit të 47-të të SHBA Donald Trump, kandidatëve të kësaj partie në drejtimin e Kongresit të SHBA dhe shpreh besimin se marrëdhëniet tradicionale midis dy vendeve dhe dy partive do të njohin zhvillime të shkëlqyera. Zoti i bekoftë SHBA, kombin dhe Presidentin e tyre!,”shkruan kryedemokrati. Po ashtu edhe Belind Këlliçi është shfaqur entuziast pas fitores së Donald Trump. “Ky është rikthimi më i jashtëzakonshëm i të gjitha kohërave. Donald Trump shkroi historinë e politikës botërore me rikthimin e tij kundër të gjitha parashikimeve!
