Ja provat e zeza nga dosja “non grata” që kanë amerikanët e britanikët për Sali Berishën, si dolën jashtë vendit…

Data

Një nga aferat që ka kopsitur dosjen “non grata” britanike dhe amerikane të ish-kryeministrit Sali Berisha është ajo e firmave Piramidale. Në dosje SHBA dhe Londra tregojnë se si Berisha favorizoi firmat që futën në kaos vendin dhe rrënuan shqiptarët. Edhe pse Saliu u mundua të justifikohej, Londra dhe SHBA e bëjnë atë përgjegjës për atë që ndodhi në vitet 1996-1997. Vetë ish-ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim bëri me dije kohë më parë se provat që çuan në shpalljen “non grata” të Sali Berishës u mblodhën nga DASH, Departamenti i Thesarit, FBI, CIA, por edhe një gamë ekspertësh të cilët kanë parë faktet. Në këtë mes gazeta , po përmend faktet që kanë grumbulluar gjithë këto vite amerikanët e britanikët për firmat piramidale.

Raporti amerikan

FINCEN, Rrjeti për Hetimin e Krimit Financiar, pjesë e Departamentit Amerikan të Thesarit në raportin e saj jep detaje mbi historikun e pastrimit të parave në botë dhe për vendin tonë periudha më negative shihet te viti 1997. Agjencia amerikane tregon se vetëm në verën e vitit 1997 dolën nga Shqipëria plot 20 milionë dollarë dhe ato u futën kryesisht në banka greke e disa turke. Bëhet fjalë për para të firmave piramidale, të cilat i kanë nxjerrë të gjitha jashtë dhe shteti i drejtuar nga Sali Berisha nuk mori asnjë masë. “Në rajonin e Detit të Zi vetëm dy rajone, Greqia e Turqia, i përkisnin FATF (më 1997). Afërsia e tyre me 15 vendet e ish-Bashkimit Sovjetik ngre një problem të veçantë në lidhje me pastrimin e parave. Një tjetër problem me bankat e tyre ishte rrjedhja e fondeve të mëdha nga Shqipëria të lidhura me skandalin e piramidave të kursimit. Hetimet pas raportimeve për transaksione të dyshimta kanë treguar se shuma të konsiderueshme parash të thata, rreth 20 milionë dollarë, janë depozituar në bankat e vendeve fqinje në verën e 1997”, thuhet në dokumentin e FINCEN.

Përfshirja e qeverisë

Detaje jepen dhe në një raport të ngjashëm, të nxjerrë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, po me bazë në SHBA. “Kishte shumë probleme menaxhimi, si në sektorin financiar dhe në përgjithësi. Kuadri rregullator ishte i përshtatshëm dhe nuk ishte e qartë se cili kishte përgjegjësi për monitorimin e tregut informal. Edhe pas aprovimit të ligjit të bankave në shkurt 1996 që në dukje i dha fuqi Bankës së Shqipërisë të mbyllte institucionet ilegale financiare, Banka Qendrore nuk mund të merrte mbështetjen e qeverisë. Dhe vërtet qeveria po mbështeste kompanitë piramidale dhe zyrtarë të lartë shfaqeshin shpesh në takime të këtyre kompanive. Edhe në nëntor 1996 teksa kompanitë po shembeshin, kryeministri dhe kryetari i Parlamentit pranuan medalje nderi në përvjetorin e një prej kompanive”, thuhet në dokument.

Embargoja e naftës

Në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, jepen detaje dhe mbi embargon që Shqipëria theu ndaj Jugosllavisë. OKB në atë kohë ndaloi të gjitha shtetet që të bënin tregti me Jugosllavinë, sidomos për lëndët djegëse. Por Shqipëria dhe Mali i Zi ishin të vetmet shtete që e thyen. Sipas CIA, qeveria “Berisha” blinte naftë në Greqi dhe pastaj e shiste në Jugosllavi me çmim disa fish më të lartë. Kjo solli të ardhura të larta në vend. Por sipas FMN, qeveria e asaj kohe realizoi embargon përmes disa prej firmave piramidale. Në raportin e amerikanëve bëhet e ditur se disa prej firmave kishin nisur të lulëzonin që shumë vite më parë dhe u fuqizuan pikërisht nga embargoja e naftës. “Shumica e kompanive shqiptare ishin thjesht piramidale pa asete të vërteta ku të mbështeteshin.

Disa nga kompanitë e mëdha si VEFA, Gjallica e Kamberi, kishin disa investime. Ato besohet se ishin të përfshira dhe në aktivitete kriminale siç ishte shkelja e embargos së Kombeve të Bashkuara duke kaluar mallra e karburante drejt Jugosllavisë, që besohet se ishte dhe burimi i aseteve të tyre fillestare. Disa prej tyre kishin qenë në biznes prej vitit 1992, por edhe pse fillimisht nuk ishin piramida, deri në fillim të 1996 kompanitë u fokusuan në biznesin e tij piramidal pasi kur ato u shembën ishte e qartë se detyrimet e tyre i kalonin fuqimisht vlerën e aseteve”, thuhet në dokument. Në raport bëhet e ditur se pasi shqiptarët kuptuan hilen e firmave piramidale dhe pasi OKB hoqi embargon, financat e shtetit ranë ndjeshëm.

“Të ardhurat e qeverisë u gjymtuan pasi pikat doganore dhe zyrat e taksave ishin djegur. Deri në fund të qershorit leku ishte zhvlerësuar ndaj dollarit me 40 për qind. Çmimet ishin rritur me 28 për qind në gjysmën e parë të 1997. Shumë industri ndaluan prodhimin dhe tregtia u ndërpre. Ndërkohë skemat kryesore piramidale vazhdonin të ruanin asetet e tyre dhe të pretendonin qëndrueshmëri duke i rezistuar mbylljes”, thuhet në dokument.

Nafta drejt Jugosllavisë

Dihet që Berisha e theu embargon dhe trafikohej në Jugosllavi naftë me çmim shumë të lartë dhe kjo sillte fitime për shtetin. Por kur embargoja ra, fitimet u ulën. “Dy ngjarje përgatitën skenën për maninë e skemave piramidale në 1996. Së pari, në fund të 1995 sanksionet e OKB kundër ish-Jugosllavisë u pezulluan gjë që solli një humbje të konsiderueshme të ardhurash nga kontrabanda për kompanitë shqiptare. Në janar 1996 kompanitë kryesore ngritën normat e interesit nga 4-5 në muaj në 6 për qind në muaj, ose rreth 100 për qind në terma vjetorë. (Inflacioni vjetor në Shqipëri ishte rreth 5 dhe në 1995 dhe arriti në 17 për qind në 1996.) Së dyti, ishte pasiguria për zgjedhjet parlamentare që po afronin në maj, çka nxiti kompanitë të rrisnin përsëri normat e interesit në 8 për qind në muaj ose më shumë se 100 për qind në vit. Në këtë periudhë skema të tjera hynë në treg duke ofruar interesa edhe më të mëdha. Në fillim të 1996 dy skema të reja, Xhaferri e Populli dhe një tjetër skemë që nuk kishte fare investime, Sude, përshkallëzuan aktivitetin duke ofruar interesa prej 12-19 për qind në muaj”, thuhet aty.

Historiku i firmave piramidale

Viti tragjik 1997 erdhi si pasojë e falimentimit të rreth 25 firmave piramidale të cilat u zhvatën shqiptarëve miliarda dollarë. Ka mjaftuar kjo katastrofë sociale-financiare me pasoja të rënda, që populli i përfshirë me depozita në këto firma,të rebelohej kundër pushtetit, duke humbur kontrollin e duke shkatërruar gjithçka. Firmat piramidale ishin një “parajsë” 3 vjeçare ekonomike-financiare për shqiptarët, të cilët braktisën punën, bizneset dhe interesin për punën, duke menduar se fitohej pa punuar. Mbyllja e firmave piramidale, krijoji kaosin deri me hapje të depove ushtarake dhe armatosjen e popullit, duke precipituar situata në plaçkitje e në luftë civile mes shqiptarësh.

Protestat e para

Protesta e parë që u zhvillua për zgjidhjen e krizës, ishte ajo e 16 janarit në Vlorë. Më 19 janar zhvillohet në Tiranë një protestë e kreditorëve të “Sude”-s. Më 24 janar, filloi “de fakto” rebelimi. Me mijëra banorë të Lushnjës, shpartallojnë forcat e policisë dhe djegin bashkinë e qytetit. Një ditë më vonë, më 25 janar, Tritan Shehu, kryetar i PD, shkon në Lushnjë për të zgjidhur situatën. Pas mbërritjes atje, ai kapet “rob” i mbahet për disa orë peng në stadiumin e qytetit. Ndërhyrja e FRPD së qytetit, shpëtoi vendin nga një atentat me pasoja të rënda. Ndërkohë gjatë paradites në qytet, u plaçkitën, shkatërruan dhe dogjën institucionet në qytet. Më 26 janar, digjet bashkia e Vlorës, kurse më 27 janar digjet bashkia e Peshkopisë.

Protestat në fillim ishin ekonomike, por më pas ato u drejtuan kundër qeverisë dhe kundër presidentit Sali Berisha, sidomos në qytetin e Vlorës. Më 4 shkurt fillon shpërndarja e një pjese të parave të humbura. Shpërndarja e tyre në sportelet e Bankës Kombëtare Tregtare e zotëruar nga shteti, krijoi efektin e rënies së firmave të tjera, pasi njerëzit filluan të besonin se paratë i kishte vjedhur qeveria. Në 5 shkurt 1997, falimenton firma “Gjallica”, ndërsa në 6 shkurt 1997 rifillojnë protestat e dhunshme në Vlorë. Në 9 shkurt 1997 në Vlorë, sulmohet Komisariati i Policisë, ndërsa një ditë më vonë po në Vlorë, 50 efektivë të forcave speciale sulmohen dhe shpartallohen barbarisht. Ditët në vazhdim, ishin ditë tragjike për Vlorën dhe më pas për krejt jugun e vendit.

Marsi 1997, “plaga” e jetës shqiptare

Muaji mars 1997 do të mbetet në historinë e Shqipërisë, si muaji i tragjedisë më të rëndë të vendit, për vetë faktin që gjatë këtij muaji në vitin 1997, Shqipëria dhe shqiptarët përjetuan dramën e tyre më të madhe njerëzore dhe ekonomike. Ndërsa u dogj krejt vendi prej rebelimit popullor për shkak të piramidave mashtruese financiare të ndërtuara prej pushtetit të Sali Berishës, u vranë dhe afro 3000 shqiptarë. E gjithë kjo tragjedi e madhe ekonomike e njerëzore që pllakosi vendin, pati si pikënisje dhe nxitje piramidat mashtruese qeveritare, por vazhdoi prej qëndrimit absurd e çmendarak të ish-presidentit Sali Berisha, i cili nuk pranonte të largohej nga super-pushteti i tij absolut edhe pse populli po vritej dhe Shqipëria po digjej. Revolta popullore nisi në Vlorë dhe përfshiu krejt jugun dhe vendin, aq sa shteti ra përtokë, ndërsa populli u fut në luftë civile, duke mbetur jashtë kontrollit të shtetit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related