Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të mërkurën më 19 mars me parashtrimet në çështjen e drejtuesit të Prokurorisë së Lezhës, Erjon Shehaj, konfirmimi të cilit u ankimua për probleme në kriterin profesional. Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani parashtroi shkaqet e ankimit duke konstatuar mangësi profesionale, që sipas tij e bëjnë subjektin e rivlerësimit të papërshtatshëm për vijimin e detyrës. Prokurori Shehaj u përfaqësua në seancë nga avokati Julian Mërtiri i cili paraqiti mbrojtjen dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimmarrjes së Komisionit.
Në seancë u evidentua se ndaj prokurorit Shehaj ishin depozituar disa denoncime, një pjesë e të cilave ishin shqyrtuar më parë nga KPK. Edhe për një denoncim të ri, Dumani vërejti se nuk gjente element për vijimin e hetimeve të mëtejshme.
Seanca dëgjimore u ndoq dhe nga publiku, ku një qytetar i pranishëm u ankua me zë të lartë për vendimarrjet e Shehaj duke pretenduar se i ishte hskatërruar jeta. Megjithëse punonjësit e Gardës së Republikës i tërhoqën vëmendjen në mënyrë të përsëritur ai vijoi të shprehte me zë të lartë ankesat e tij, kur në një moment që drejtuesi i SPAK, Altin Dumani po futej në sallë, ju drejtua dhe atij duke kërkuar hetime ndaj subjektit. Si pasojë e qëndrimit të tij përsëritës, punonjësit e Gardës e shoqëruan jashtë ambjenteve prej nga mund të ndiqte drejtëpërdrejtë seancën.
Prokurori Erjon Shehaj u konfirmua në detyrë më 1 prill 2022, pasi trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u bind nga shpjegimet dhe provat e tij për barrën e provës për pasurinë dhe për konstatimet në kriterin profesional, ku dy prej çështjeve të shqyrtuara u transferuan për verifikim të mëtejshëm pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Për figurën nuk u evidentuan probleme.
