Analisti i njohur, Kreshnik Spahiu ka komentuar rezolutën për të luftuar korrupsionin e iniciuar nga kryeministri Edi Rama. Ky i fundit ka thirrur dhe grupin e Sali Berishës që të miratojë këtë propozim. Për Spahiun, nuk luftohet kështu korrupsioni. “Doja të evidentoja disa probleme të mbledhjes së byrosë politike të PS, sepse i ngjante tamam një mbledhje pleniumi partie. Problemet janë këto: së pari, shqiptarët duhet të kuptojnë që rezolutat nuk janë akte ligjore dhe nuk kanë asnjë efekt juridik apo asnjë efekt detyrues juridik për palët apo shtetin. Janë thjesht deklarative, rezolutat janë thjesht një shou, janë një shprehje e vullnetit politik. Mbledhja dhe produkti që solli PS, nuk ka mbështetjen e askujt”, deklaroi ai.
Si po përfiton Rama?
Në reagimin Spahiu u shpreh se kryeministri Rama po përfiton nga kjo situatë pasi po nxiton që kjo ndërhyrje të bëhet para 1 Korrikut, pasi më pas vjen ambasadori i ri i SHBA. “Së pari, është bërë pa mbështetjen dhe konsulencën e BE dhe SHBA-së, madje është nxituar që të bëhet para 1 Korrikut që të vij ambasadori i SHBA-së të cilët nuk mund të mbështesnin një iniciativë kaq të një anshme e cila interferon në mënyrë të drejtpërdrejtë të pushteti gjyqësor. E dyta, nuk ka mbështetje e vetë pushtetit gjyqësor dhe institucioneve. Nuk ka një shprehje nga institucionet e drejtësisë që të kërkojnë ngritjen e një komisioni parlamentar mbështetës. Së treti, nuk ka mbështetjen e opozitës dhe sipas të gjithë gjasave rezoluta e PS, nuk do të votohet as nga partia e vulës as nga partia e Rithemelimit. Të paktën një pjesë e opozitës është deklaruar kundër saj. Sali Berisha është deklaruar kundër kësaj rezolute dhe kësaj iniciativë. Nuk ka mbështetjen as të institucioneve, as të pushtetit gjyqësor, as të opozitës, as të faktorit ndërkombëtar dhe në këtë aspekt, absolutisht merr thjesht ngjyra elektorale po politike. Sa i përket debatit të brendshëm, kjo i përngjan fjalimit të Hashim Thaçit në Gjykatën e Hagës i cili mburrej me miratimin e gjykatës Speciale kur votuesit kryesor të atij legjislacioni sot janë në akuzë nga gjykata Speciale”, u shpreh Spahiu.
Ndërhyrja në SPAK
Nga ana tjetër, Kreshnik Spahiu thotë se kjo iniciativë ligjore për të ndihmuar drejtësinë po hartohet nga dy të dyshuar dhe nën akuzë si Edi Rama dhe Berisha. “Është aq komike kjo iniciativë sa pyetja lind, kjo iniciativë ligjore për të ndihmuar drejtësinë nga kush do të hartohet, nga ato që janë të dyshuar dhe janë nën akuzë. Sipas të gjithë gjasave, nëse opozita nuk do të kishte të dy liderët e saj nën akuzë, opozita sot duhet të ishte në festë. Sepse kemi një lloj qeverisje të kryqëzuar nga SPAK. SPAK-u është një iniciativë juridike, është një produkt juridik, është një institucion i cili sot është më i pëlqyeri nga opinioni publik. Sipas të gjithë rezultateve, gëzon mbështetjen jo vetëm të ndërkombëtarëve dhe të opinionit publik dhe nuk ka fare nevojë për një suport të një konsensusi të njerëzve të cilët duhet të jetë të pandehur, nën akuzë, pas atyre dyerve dhe praktikisht janë se shumica e liderëve politik dhe të qeverisjes kryesisht se socialistët janë kryqëzuar nga SPAK-u, sepse ato kanë probleme në çdo dikaster e të marrin këtë iniciativë”, thotë Spahiu
Prapaskenat e rezolutës
Spahiu thotë se Rama-Berisha po tentojnë të kapin SPAK. “Thelbi i të gjithë rezolutës është në një pikë, ata kërkojnë që drejtësia të hapet dhe të vendos ura bashkëpunimi institucional sepse duan ta nxjerrin SPAK nga bunkeri që është futur, kanë humbur kontaktet. Dhe duke qenë se privatisht nuk i takojnë dot, duan t’i vendosin kontaktet institucionalisht duke vendosur mbledhje permanente mes këtyre institucioneve kryesore të drejtësisë dhe komisionit dhe këtyre deputetëve. Të fillojë kontakt shkëmbimi, duan t’i vendosin kontaktet nëpërmjet për ta hapur SPAK-un ligjërisht. Mendoj se nuk ka asnjë ide të ndërkombëtarëve, përkundrazi ndërkombëtarët suksesin e tyre e kanë patur duke izoluar institucionet e drejtësisë SPAK-un dhe GJKKO-në e madje duke i vënë dhe në vëzhgim dhe monitorim në çdo lëvizje të tyre, udhëtim, shpenzime. I kanë vënë në vëzhgim që të mos kontaktojnë me persona të cilët mund të miklohen, mund të joshen apo shantazhohen. Dhe e gjithë kjo iniciativë në thelbin e vetë bie ndesh me projektin që kanë ndërkombëtarët”, përfundon Spahiu.
