Amerikanët u presin shpresat armiqve të reformës në drejtësi dhe inkurajojnë SPAK t’i japë fund pandëshkeushmërisë në Shqipëri, mbështetja ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe pavarësia e gjyqësorit prioritete kryesore të SHBA

Data

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqishëm reformën në drejtësi, ndërkohë që inkurajojnë SPAK t’i japë fund pandëshkeushmërisë në Shqipëri, pasi mbështetja ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe pavarësia e gjyqësorit është prioritet kryesor i amerikanëve. I ngarkuari me punë i SHBA-së në Shqipëri, David Wisner ka dërguar ditën e djeshme mesazhe të qarta në drejtim të armiqve të reformës në drejtësi. Përfaqësuesi i ambasadës amerikane në Tiranë, David Wisner, ka marrë dje në aktivitetin e organizuar në kuadër të Ditës së Drejtësisë, tha se SHBA është krenare që mbështet drejtësinë në Shqipëri, ndërsa paralajmëroi se institucionet do të jenë afatgjata. Madje teksa citoi edhe Sekretarin Departamentit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, diplomati Wisner inkurajoi magjistratët për të vijuar punën në goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit pavarësisht presioneve nga politika. Ai theksoi se pritshmëritë për drejtësinë janë të mëdha dhe theksoi se politika duhet të bëjë më shumë. “Shteti i së drejtës që duhet të jetë në qendër të angazhimeve tona. Sekretari Blinken ishte këtu në shkurt dhe tha se reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur por të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë për punën që njerëzit në këtë sallë sot kanë arritur. Ju dhe institucionet e tjera të pavarura të drejtësisë keni nisur të sillni transparencë dhe llogaridhënie në sistemin e drejtësisë. Ju dhe institucionet e tjera keni nisur të merrni masa kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar. Shqiptarët kërkojnë një sistem drejtësie që të mund të kenë besim se do të trajtohen me drejtësi”, deklaroi ai. Më poshtë gazeta “SOT”, po pasqyron të plotë fjalën e të ngarkuarit me punë të SHBA-së në Shqipëri, David Wisner.

Ja fjala e të ngarkuarit me punë në Ditën Kombëtare të Drejtësisë

Transparenca dhe llogaridhënia

Zoti President, Zonja Kryeparlamentare, ministra, krerë të institucioneve të pavarur të drejtësisë, kolegë të dashur dhe të gjithë ju që punoni çdo ditë për të përmirësuar jetët e shqiptarëve. Është kënaqësi të jesh sot këtu para jush. Një qind e dymbëdhjetë vjet më parë ishte një hap monumental për shqiptarët. Ishte gjithashtu e qartë së, në 112 vite, ka ende më shumë punë t’u bërë. Dhe është një kujtesë për të gjithë ne që kërkimi i drejtësisë është një parim i gjithëkohshëm. Është po aq e vërtetë për shqiptarët, sa edhe për amerikanët, në Kushtetutën tonë dhe Deklaratën e Pavarësisë. Ne jemi krenarë për vlerat e përbashkëta të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor që ndajmë me shqiptarët. Dhe absolutisht në qendër të atyre parimeve është që sundimi i ligjit dhe trajtimi i drejtë të jetë në qendër të të gjitha angazhimeve tona. Sekretari Blinken ishte këtu në shkurt dhe tha se reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë për punën që njerëzit në këtë sallë sot kanë përmbushur. Ju dhe institucionet e tjera të pavarura të drejtësisë keni filluar të sillni transparencë dhe llogaridhënie në sistemin e drejtësisë. Ju dhe institucionet e tjera po filloni të ndërmerrni veprime kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Besimit i shqiptarëve tek sistemi i drejtësisë

Shqiptarët dëshirojnë një sistem drejtësie të cilit mund t’i besojnë dhe të kenë besim se do të trajtohen me drejtësi. Vetëkuptohet që sfidat me të cilat po përballeni janë të konsiderueshme. Ka vende të paplotësuara, ka çështje të prapambetura. Duhet të ketë vetting gjithnjë e më të plotë. Duhen ende standarde të reja në institucione. Ka vonesa dhe rotacione të anëtarëve të këshillave. Ka presion politik, ka pritshmëri të mëdha publike. Dhe t’i bësh gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar të japin llogari është diçka që është e rëndësishme dhe është e mrekullueshme të dëgjosh që sot, të gjithë do të punoni pak më shumë për këtë. Kjo vërtet nënvizon se sa e rëndësishme është puna juaj. Takimi juaj sot është një shembull i shkëlqyer, por institucionet nuk mund të punojnë më vete. Ju duhet besim dhe komunikim me institucionet e tjera për të përmbushur mandatet tuaja. Dhe mund t’ju them se Shtetet e Bashkuara janë krenare që punojnë me ju, këshillat, gjyqtarët, prokurorët dhe forcat e rendit për të ndihmuar Shqipërinë të krijojë një të ardhme më të mirë.

Reforma në drejtësi

Siç tha Silvio [Gonzato] me kaq elokuencë – reforma në drejtësi dhe sukseset e saj janë të pakthyeshme. Ne presim plotësisht që institucionet që u krijuan 112 vite më parë, ato që u krijuan në 2016 do të ekzistojnë për një kohë të gjatë. Nuk ka dyshim për këtë sepse është populli shqiptar që ka thënë se e do këtë. Përpjekjet tuaja për të përmirësuar qeverisjen, sundimin e ligjin dhe anti-korrupsionin janë premtuese. Politikanët, institucionet dhe cilido që është i interesuar për një demokraci më të fortë në Shqipëri duhet të bëjë më shumë. Mund t’ju premtoj se Shtetet e Bashkuara do t’i mbështesin përpjekjet për të ndërtuar reforma të suksesshme, për të rritur gjithëpërfshirjen, për të qenë në linjë me Kushtetutën dhe për të respektuar pavarësinë e institucioneve të gjyqësorit. Ne nxisim më shumë bashkëpunim mes grupeve politike, shoqërisë civile dhe të tjerëve për të çuar përpara reforma kyçe për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe integrimit euroatlantik. Kundërvënia ndaj korrupsionit dhe nxitja e mirëqeverisjes dhe përpjekjeve për sundimin e ligjit janë një detyrë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, përfshirë të gjitha institucionet dhe aktorët që po punojnë për to.

Mesazhi për drejtësinë dhe shqiptarët

Dhe jo vetëm institucionet e drejtësisë. Sigurisht që nxisim pjesëmarrjen e të gjithë shqiptarëve që kërkojnë të përmirësojnë të ardhmen e tyre dhe presim me kënaqësi të shohim rezultatet e një procesi transparent dhe bashkëpunues, i cili mendoj se sot, bazuar në praninë e të gjithëve ju dhe të gjitha kamerave këtu, është një shembull i shkëlqyer. Shqipëria, Shtetet e Bashkuara dhe BE kanë besim se të gjithë ju do t’ia dilni me sukses. Ndaj më lejoni ta mbyll duke ju uruar Gëzuar Ditën e Drejtësisë. E di, tingëllon pak amerikane, por të gjithë duhet të jemi të gëzuar. Ajo që po bëni është kaq e veçantë. Shpesh, si diplomatë amerikanë, shohim në Ballkanin Perëndimor dhe më tej si dhe këtu në Shqipëri dhe themi se ajo që po bëhet është e jashtëzakonshme. E kuptoj padurimin. Të paduruar duhet të jeni, por do të thoja të paduruar të gëzuar, sepse e dini që ka shumë për të bërë dhe kaq shumë që mund të bëhet. Ndaj vazhdoni përpara. Punoni bashkë për të gjetur zgjidhje. Bëjeni sistemin të funksionojë për një të ardhme më të mirë së bashku. Faleminderit shumë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related