Izraeli ka paralajmëruar banorët e disa lagjeve në periferitë jugore të Bejrutit që të evakuohen menjëherë përpara veprimeve të mundshme ushtarake.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Avichay Adraee, bëri të ditur se paralajmërimi vlen për banorët e disa zonave të kryeqytetit libanez, përfshirë Haret Hreik, Ghobeiry, Lilaki, Hadath, Burj al-Barajneh, Tahwitat al-Ghadir dhe Chiyah.
Sipas tij, ushtria izraelite nuk do të hezitojë të ndërmarrë sulme ndaj objektivave të lidhura me Hezbollah që ndodhen pranë këtyre zonave.
“Po e vini veten dhe jetën tuaj në rrezik. Evakuoni menjëherë zonën,” shkroi Adraee në rrjetin social X.
Ky paralajmërim vjen në një moment kur tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut janë përshkallëzuar, ndërsa përplasjet përgjatë kufirit kanë rritur frikën për një konflikt më të gjerë në rajon.
