Thuajse e gjithë zona e mbetur pa ndërtime në qytetin e Sarandës do të shndërrohet në një resort gjigand, i cili do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 680 mijë metrash katrorë. Bëhet fjalë për zonën poshtë Kalasë së Lëkurësit, mbi të cilën do të ndërtohen mijëra vila dhe apartamente si dhe një hotel me 5 yje, i cili do të ketë rreth 140 dhoma gjithsej.

Ndërtuesi i resortit është kompania TDT & Partners, kompania që zotërohet nga dy vëllezërit Dajlan Avdia dhe Glendi Abdi. Dajlan Avdia njihet ndryshe si ish pronari i kompanisë APEX dhe ndërtuesi i kullave ngjitur me sahatin e Tiranës.
Ky është një nga resortet më të mëdha që ndërtohet në Jug të vendit, për nga sipërfaqe e truallit në të cilin shtrihet i krahasueshëm me projektin e Alabbarit në Durrës. Por për shkak të intensitetit më të ulët, resorti i Lëkurësit do të ketë më pak sipërfaqe ndërtimore.
