Shpresat e Edi Ramës për të rifituar financimet europiane për bujqësinë shqiptare janë goditur rëndë nga Brukseli, i cili ka vendosur vijën e kuqe se pa çuar përpara drejtësisë ish-ministren Frida Krifca dhe bandën e saj, fondet IPARD mbeten të bllokuara. Pas më shumë se tre vitesh pritjeje dhe premtimesh boshe, Komisioni Evropian ka reaguar ashpër, duke lënë të kuptohet qartë se nuk do të ketë më asnjë euro për bujqësinë shqiptare, derisa qeveria të marrë masa konkrete për të mbrojtur fondet e taksapaguesve europianë. “Bashkimi Evropian është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë fermerët shqiptarë, sektorin agroushqimor dhe zonat rurale në të ardhmen, me kusht që interesat financiare të Bashkimit Evropian të mbrohen siç duhet”, thuhet në përgjigjen e KE. Komisioni Evropian shprehet se kjo çështje duhet parë me prioritet nga autoritetet shqiptare, që të korrigjohen gabimet e së shkuarës në menaxhimin dhe përdorimin e fondeve të BE-së.
“Duke qenë se kemi të bëjmë me paratë e taksapaguesve të BE-së, presim që autoritetet shqiptare ta marrin shumë seriozisht këtë çështje”, thotë KE. Aktualisht KE thotë se është vënë në dijeni nga autoritetet shqiptare që po bëhet një auditim për pagesat e IPARD II. “Një procedurë dypalëshe midis Komisionit Evropian dhe autoriteteve shqiptare është në vazhdim për të siguruar që veprimet e duhura korrigjuese të ndërmerren nga autoritetet kombëtare sa më shpejt të jetë e mundur. Në kuadër të kësaj procedure, Komisioni Evropian është informuar se qeveria shqiptare ka kontraktuar një firmë auditimi të jashtëm për të kryer një auditim të jashtëm gjithëpërfshirës mbi grantet dhe pagesat IPARD II, si dhe mbi sistemin e sapokrijuar të menaxhimit dhe kontrollit të brendshëm”, thotë KE.
