Do të ketë me gjasë mbledhje të ardhshme mes parlamenteve të Kosovës e Shqipërisë në të ardhmen, dhe takimi i ardhshëm do të duhej të mbahej në Tiranë. Ndoshta do të ishte mirë që nga tani të vendosej një standard i ri këmbimi mendimesh dhe që fjalimi i ardhshëm i kryeministrit të Kosovës të MOS i përmbajë pikat e poshtëshënuara. Po të lexoheshin, do të kuptoheshin me të drejtë nga vendi nikoqir si tejkalim i tonit miqësor, të sovranitetit të vendit e të respektit të ndërsjellë që duhet të ekzistojë mes dy vendeve.
• Kosova është në vendin e parë të rritës ekonomike, avancimit të demokracisë, luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar krahasuar me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Përderisa fqinjët tanë shënojnë prapakthim e disa janë nisur në drejtim të autokracive zgjedhore – madje me ndihmë të madhe edhe të krimit të organizuar e narkotrafikut – Kosova po ecën përpara në konsolidimin e vet demokratik.
• Në Kosovë kemi ndjeshmëri të veçantë ndaj Shqipërisë, që shumë prej nesh e kemi quajtur “shteti amë”. Ndonëse realiteti i sotëm është i dy shteteve, dashuria amtare do të jetojë, së paku për gjeneratën tonë.
• Mu për këtë dhe nga përkrahja historike që ndiejmë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nuk kemi si të mos i ndajmë këtu vëllazërisht me ju brengat tona për gjendjen e Shqipërisë dhe të ofrojnë ndihmën tonë të pakursyer kurdo që të na kërkohet.
