Ministria e Jashtme e Iranit ka hedhur poshtë deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump se mes Teheranit dhe Uashingtonit do të zhvillohen bisedime në Katar.
Zëdhënësi i ministrisë, Esmail Baghai, konfirmoi se një delegacion iranian do të vizitojë Katarin gjatë kësaj jave, por theksoi se kjo vizitë nuk ka lidhje me ndonjë takim me zyrtarë amerikanë.
Sipas tij, Irani nuk ka nisur negociata për një marrëveshje të re me Shtetet e Bashkuara, duke nënvizuar se, përpara çdo hapi diplomatik, duhet të trajtohen çështjet që lidhen me zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, të cilin Teherani e konsideron prioritar.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, i cili deklaroi se gjatë kësaj jave nuk është planifikuar asnjë takim mes ekipeve teknike iraniane dhe përfaqësuesve amerikanë në Doha.
Deklaratat e zyrtarëve iranianë vijnë pasi presidenti Donald Trump njoftoi se një takim mes delegacioneve të SHBA-së dhe Iranit do të zhvillohej të martën në kryeqytetin e Katarit, duke pretenduar se kërkesa për këtë takim kishte ardhur nga Teherani.
“Irani ka kërkuar një takim. Ai do të zhvillohet nesër në Doha”, shkroi Trump në platformën e tij, Truth Social.
Mohimi i Teheranit lë të paqartë nëse ekzistojnë kontakte të tjera diplomatike mes palëve, ndërsa tensionet mes SHBA-së dhe Iranit vijojnë të mbeten të larta.
