Një fermer nga fshati Samaticë i Beratit, i prekur nga përmbytjet e muajit janar, mori fjalën në protestën e 42-të kundër qeverisë, duke deklaruar se ai dhe banorë të tjerë të zonës nuk kanë marrë ende dëmshpërblim për dëmet e pësuara.
Sipas tij, përmbytjet shkaktuan humbje të konsiderueshme në aktivitetin bujqësor, ndërsa pretendoi se nuk ka përfituar as mbështetje përmes fondeve të IPARD-it.
“Jam nga Samatica e Beratit. U përmbytëm dy herë dhe ende nuk kemi marrë dëmshpërblim. Nuk kemi përfituar as nga fondet e IPARD-it, prandaj kemi dalë sot në protestë”, u shpreh ai.
Fermeri tregoi se ishte kthyer nga emigrimi 16 vite më parë për të investuar në Shqipëri, por sot shprehet i zhgënjyer nga situata.
“Jam kthyer para 16 vitesh dhe kam investuar rreth 100 mijë euro në sera. Sot mendoj se ishte gabimi më i madh që u ktheva. Kam pësuar humbje të mëdha dhe kjo ka prekur edhe familjen time”, deklaroi protestuesi.
Në përfundim të fjalës së tij, ai kritikoi institucionet për mungesën e mbështetjes pas përmbytjeve.
“Përfaqësuesit e shtetit vijnë, shohin dëmet, bëjnë fotografi, por dëmshpërblimet nuk vijnë. Ne vazhdojmë të përballemi vetë me pasojat”, tha fermeri.
