Sipas raportimeve nga ‘FCInterNews’, Interi ka ende plane të mëdha për mesfushorin Kristjan Asllani, madje ka refuzuar disa oferta për lojtarin e Kombëtares.
Në verën e kaluar, Interi refuzoi një ofertë prej 25 milionë eurosh për Asllanin. Aktualisht, Asllani ndodhet në sezonin e tij të tretë si pjesë e skuadrës së Interit.
Interi e mori Asllanin nga Empoli në verën e vitit 2022 për 14 milionë euro. Që nga atëherë, nuk ka pasur asnjë dyshim për planin afatgjatë të klubit për të. Ata e shohin shqiptarin si një titullar të mundshëm në të ardhmen në mesfushë.
Në fillim, Asllani u aktivizua si rezervë për Marcelo Brozovic, por pas shitjes së kroatit në vitin 2023, Hakan Çalhanoğlu ka luajtur në të njëjtin pozicion me Asllanin. Kristjan “Luani” ka mësuar shumë nga turku, dhe trajneri Inzaghi shpesh herë e bën zëvendësimin kokë më kokë mes tyre. Fakti që klubi ka refuzuar një ofertë të lartë, tregon besimin e Interit te Asllani.
