Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri të martën e 24 shkurtit, mbi 80 mijë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi kanë kërkuar të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri.
Qytetarët shqiptarë në Greqi përbëjnë rreth rrreth 28% të kërkesave për të votuar nga rreth 227 mijë kërkesa që janë deri tani në total nga diaspora. Qytetarët shqiptarë në Greqi renditen pas qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Itali, të cilët kanë dorëzuar deri më tani në KQZ rreth 111 mijë kërkesa.
Sipas bazës elektronike të të dhënave të KQZ rreth 50 mijë qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqinë fqinje u është pranuar kërkesa dhe janë miratuar si zgjedhës nga Komisioni Qëndror I Zgjedhjeve, ndërsa rreth 13 mijë prej tyre janë refuzuar për mungesë dokumentacioni.
Të dhënat e Ministrisë greke të Emigracionit në Janar të këtij viti flasin se rreth 277 mijë shqiptarë rezultojnë me lejeqëndrimi të rregullta në Greqi duke përbërë 55,9% të të huajve në këtë vend. Kësaj shifre për shqiptarët në Greqi i shtohen edhe rreth 15 mijë pjesëtarë të pakicës greke të cilët kanë në Greqi një status tjetër atë të “homogjenit” dhe e kanë të drejtën për të votuar në Shqipëri pasi e kanë ruajtur nënshtetësinë shqiptare edhe pas emigrimit në Greqi.
Por, sipas analistëve të shtypit nga Athina, shifra e shqiptarëve me dokumente shqiptare në Greqi, por që nuk kanë ende lejeqëndrimi greke, mund të jetë shumë më e lartë se të dhënat e ministrisë greke të Emigracionit.
