Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, me në krye Gazment Bardhin mbështeti Presidentin Bajram Begaj në lidhje me skandalin e mikrokredive. Kreu i shtetit, i drejtoi së fundmi një letër Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut Komisionit për Ekonominë dhe Financat në lidhje me skandalin e mikrokredive ku shkruan se viktimat e “grabitjes me mikrokreditë” janë bërë një numër i lartë individësh. Ai u bëri thirrje institucioneve duke u shprehur se kjo çështje nuk zgjidhet me politizim apo me retorikë të panevojshme dhe se Kuvendi është adresa më e saktë dhe më kompetente për t’i dhënë fenomenit zgjidhjen e plotë. Këtë kërkesë të Begaj, e kanë mbështetur Bardhi duke thënë se konstatimet e Begajt për këtë çështje janë në një linjë me qëndrimet e tyre. Por në këtë debat mbi mikrokreditë dhe ballafaqimin mes përmbaruesve dhe bankave, duket se Gazmend Bardhi nuk është futur krejt rastësisht. Bardhi mbështeti deklaratat e Begajt, të cilin e ka quajtur ushtar të Edi Ramës shërbëtor të rëndomtë dhe injorant.
Lepuri fle diku tjetër! Në vitin 2017, si Ministër Teknik i Drejtësisë, Bardhi firmosi një udhëzim për rritjen e tarifave të përmbaruesve në Republikën e Shqipërisë, rritje që automatikisht çonte në rritjen nga ana e bankave të fee-ve apo tarifave për qytetarët, duke rënduar xhepat e këtyre të fundit. Ndaj pyetja që ngrihet: A është Gazmend Bardhi në konflikt të hapur interesi në këtë debat? Sjellja e tij në kuvendin e Shqipërisë ngre hije të forta dyshimi. Teksa flitej për udhëzimin, Bardhi tha se rritja e atyre tarifave vinte si detyrim nga ligji i ri i përmbarimit privat, i votuar nga socialistët. Por në fakt, ligji i ri doli në vitin 2019. Në udhëzimin e Bardhit të vitit 2017, shkruhet se baza ligjore është ligji i përmbarimit i vitit 2008, neni 47 i të cilit thotë se tarifat përcaktohen me udhëzim të ministrit. Pra mashtrimi sy për sy i Gazment Bardhit gjithë këtë kohë, lë të kuptohet se sa serioz është ai në debatin e mikrokredive.
SPAK hetim për mikrokreditë
SPAK ka nisur një hetim për mashtrimin me mikrokreditë. Lajmi u konfirmua nga kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili në një takim me dyer të mbyllura me gazetarët tha se SPAK ka një hetim, por jo për denoncimet e qytetarëve. Dumani ka thënë për gazetarët se Prokuroria e Posaçme ka një hetim për një objekt konkret në Bankën e Shqipërisë, pro pa dhënë shumë detaje të tjera, duke lënë kështu mister se kush është personi që është në hetim. Dumani i shprehu ngushëllime familjarëve të të ndjerit Pal Trashaj nga Lezha, i cili i dha fund jetës jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme duke kërkuar që çështja e tij të hetohet nga SPAK. “Ne kemi vetëm një çështje të regjistruar, por ne nuk hetojmë rastet e qytetarëve që janë mashtruar. Kemi një hetim, për një objekt konkret ndaj Bankës së Shqipërisë. Nuk bëj komente. Realisht dhe ne na vjen keq që qytetarët përplasen në dyert tona dhe për personat që vijnë për çështje të ndryshme që nuk janë në kompetencën tonë lëndore.
Shpreh keqardhjen për atë që ndodhi përpara dyerve të SPAK me z.Pal Trashaj dhe i përcjell ngushëllime familjes. Ka kërkesa të shumta nga ana e qytetarëve, por ligji na e ka përcaktuar qartë kompetencën lëndore”, tha Dumani. Kujtojmë se në SPAK është paraqitur një dosje për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë në lidhje me mikrokreditë. Pas një kallëzimi të një qytetari, Prokuroria e Tiranës përmes një vendimi të 17 prillit, shpalli moskompetencën dhe i kërkoi Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që të kryente hetime të mëtejshme ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për veprën e “shpërdorimit të detyrës” dhe shoqërisë MCA veprat e mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Prokuroria e Tiranës vlerëson se guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko duhet të hetohet për “shpërdorim detyre” nga SPAK, pasi dyshohet se mori masa të vonuara dhe të papërshtatshme për të frenuar skemën e dyshuar të mashtrimit ndaj mijëra qytetarëve nga shoqëria e mikrokredive MCA.
