Institucionet në heshtje/ Aksi Librazhd–Bulqizë paralizohet nga dëbora, qindra turistë të bllokuar

Data

Një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në zonën lindore të vendit, aksi rrugor Librazhd–Bulqizë, është shndërruar këtë fundjavë në një pikë kritike për qarkullimin. Segmenti Zgosht–Ura e Çerenecit, që kalon përmes fshatit turistik Fushë Studen në njësinë administrative Steblevë, ka qenë deri në mesditën e së dielës pothuajse i pakalueshëm për shkak të dëborës së dendur dhe mungesës së ndërhyrjes për pastrim dhe kriposje.

Sipas burimeve nga terreni, firma kontraktore përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës nuk ka kryer asnjë ndërhyrje, pavarësisht reshjeve intensive dhe temperaturave të ulëta që krijuan ngrica të rrezikshme. Si pasojë, dhjetëra automjete dhe qindra turistë të nisur drejt turizmit malor në Parkun Kombëtar të Shebenikut kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra, kryesisht në zonën e njohur si “Shkalla e Lunikut”.

Situata është përkeqësuar edhe nga vonesat në reagim. Kërkesat e përsëritura të drejtuesve të mjeteve dhe turistëve për ndërhyrje u morën parasysh vetëm pas një kohe të gjatë, duke i lënë qytetarët të ekspozuar ndaj të ftohtit dhe rrezikut për aksidente.

Ironikisht, asfaltimi i këtij segmenti u promovua si një shtysë për zhvillimin e turizmit malor dhe ekonomisë lokale, duke lidhur Librazhdin me Bulqizën dhe Peshkopinë. Megjithatë, pikërisht në kulmin e sezonit dimëror dhe me fluks të lartë turistësh, u evidentua mungesa e një plani funksional për mirëmbajtjen dimërore të kësaj arterie malore.

Vetëm disa ditë më parë, rruga u hap përkohësisht falë ndërhyrjes së bashkisë Librazhd, pasi banorë të zonës mbetën të izoluar. Ngjarja e kësaj fundjave ngre pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e investimeve publike, rolin e firmave kontraktore dhe përgjegjësinë institucionale për të garantuar rrugë të sigurta në kushte dimri. Pa mirëmbajtje reale, një aks strategjik rrezikon të mbetet thjesht një premtim në letër.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related