Të dhënat e INSTAT për janarin 2026 tregojnë një fillim viti të zbehtë për ekonominë, me rënie të importeve në shumicën e grupeve të mallrave, përveç naftës.
Sasia totale e importeve arriti rreth 455 mijë tonë, me një rritje minimale 0.2% krahasuar me janarin 2025. Megjithatë, duke përjashtuar naftën, importet e tjera shënuan rënie vjetore me 4%, duke sinjalizuar dobësim të kërkesës së brendshme.
Rënia është më e theksuar te mallrat që lidhen me investimet. Produktet e drurit dhe letrës ranë me 15.4%, materialet e ndërtimit dhe metalet me 4.7%, ndërsa makineritë dhe pajisjet po ashtu u tkurrën me 4.7%, çka tregon një aktivitet më të ulët investimesh dhe prodhimi.
Në segmentin e konsumit, tekstilet dhe këpucët ranë me 2.2%, ndërsa artikujt prej lëkure me 3.7%. Importet e ushqimeve mbetën pothuajse në të njëjtin nivel, duke reflektuar një konsum bazë të qëndrueshëm.
E vetmja kategori me rritje të ndjeshme ishte ajo e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë, me +8.4%. Rimëkëmbja pritet zakonisht me afrimin e sezonit turistik, kur konsumi dhe importet rriten.
