Indonezia ka njoftuar se do të ndalojë përdorimin e mediave sociale dhe disa platformave të tjera online për fëmijët nën moshën 16 vjeç, në një përpjekje për të mbrojtur të rinjtë nga rreziqet e internetit.
Vendimi u bë publik nga ministrja e Komunikimit dhe Çështjeve Dixhitale, Meutya Hafid, e cila deklaroi se llogaritë e përdoruesve nën 16 vjeç në platformat me “rrezik të lartë” do të çaktivizohen duke filluar nga 28 marsi.
Sipas autoriteteve, masa do të prekë disa nga platformat më të përdorura online, përfshirë YouTube, TikTok, Facebook, Instagram, Threads, X, Bigo Live dhe Roblox.
Ministrja Hafid theksoi se ky vendim synon të mbrojë fëmijët nga rreziqe të shumta në internet, duke përfshirë ekspozimin ndaj përmbajtjeve pornografike, ngacmimet kibernetike, mashtrimet online dhe varësinë nga rrjetet sociale.
Ajo shtoi se qeveria po ndërhyn për të ndihmuar prindërit në mbrojtjen e fëmijëve nga platformat dixhitale të bazuara në algoritme.
Sipas një raporti të UNICEF-it në vitin 2023, rreth gjysma e 510 fëmijëve të anketuar në Indonezi kanë deklaruar se janë ekspozuar ndaj imazheve me përmbajtje seksuale në rrjetet sociale.
Indonezia bëhet kështu vendi i parë jo-perëndimor që vendos kufizime të tilla për përdorimin e mediave sociale sipas moshës.
Vendimi vjen pasi Australia ishte vendi i parë që miratoi një ligj për të detyruar kompanitë e rrjeteve sociale të bllokojnë përdoruesit nën 16 vjeç nga krijimi i llogarive.
Ndërkohë edhe vende të tjera si Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar po shqyrtojnë masa të ngjashme për kufizimin e aksesit të të miturve në platformat online.
