Kreu i grupit parlamentar të Partia Demokratike, Gazment Bardhi, ka kritikuar ashpër mungesën e kryeministrit Edi Rama në seancat parlamentare, duke i kërkuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, që ta thërrasë në sallë për të raportuar.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bardhi tha se Rama ka marrë pjesë vetëm dy herë në seancat parlamentare që nga nisja e sesionit.
Sipas tij, një prej rasteve ishte votimi për çështjen e Belinda Balluku, ndërsa tjetri lidhej me votimin për projektligjin e shtetësisë.
“Ne nuk kemi prezent kryeministrin në seancë. Nuk ndodh në asnjë vend të botës që kryeministri të vijë kaq pak në Kuvend,” deklaroi Bardhi.
Ai e cilësoi Ramën si “kryeministër karton”, duke e akuzuar se paraqitet në Parlament vetëm kur ka interesa politike direkte.
“Ka ardhur vetëm kur do votonte për Belinda Ballukun. Erdhi dhe kur i duheshin Taulantit votat për shtetësinë,” tha Bardhi.
Deputeti demokrat shtoi se përgjegjësia politike nuk mund të jepet “me korrespondencë”, duke insistuar se kryeministri duhet të përballet drejtpërdrejt me debatet parlamentare dhe kërkesat për llogaridhënie.
Debati vjen në një klimë të tensionuar politike, ku opozita po shton akuzat ndaj qeverisë për mënyrën e trajtimit të çështjeve që lidhen me hetimet ndaj zyrtarëve të lartë dhe raportet me institucionet e drejtësisë.
