Ish-drejtoresha e Tatimeve, Brisida Shehaj, ka bërë deklarata të forta lidhur me periudhën kur drejtonte administratën tatimore, duke u ndalur te dosja e Bankers Petroleum dhe arbitrazhi i shumëdiskutuar ndaj kompanisë.
E ftuar në një emision televiziv, Shehaj tha se arbitrazhi ndaj “Bankers Petroleum” ishte rezultat i këmbënguljes së saj personale, ndërsa zbuloi se kishte marrë mbështetje të fortë politike nga Ilir Meta.
Sipas saj, gjatë kohës që drejtonte Tatimet janë ndërtuar disa prej dosjeve më të rëndësishme për evazion fiskal dhe informalitet.
“Arbitrazhi i Bankers-it ishte këmbëngulja ime personale. Unë kam relatuar para dy bashkëdrejtuesve. Ilir Meta ka dhënë suportin maksimal”, deklaroi Shehaj.
Ajo shtoi se gjatë mandatit të saj janë referuar qindra milionë euro dosje për evazion fiskal, ndërsa theksoi se shumë prej hetimeve më pas, sipas saj, janë bllokuar ose “vrarë” si nga drejtësia e vjetër, ashtu edhe nga ajo e re.
Në intervistë, Shehaj përmendi edhe betejën kundër informalitetit, duke kundërshtuar pretendimet se aksionet e ndërmarra në atë periudhë kishin në shënjestër biznesin e vogël.
“Janë çuar diku te 500 milionë euro dosje për evazion. Janë bërë shumë gjëra”, u shpreh ajo.
Deklaratat e ish-kryetares së Tatimeve vijnë në një kohë kur çështja e Bankers Petroleum dhe hetimet për evazion fiskal vijojnë të jenë objekt debatesh politike dhe juridike në vend.
