Një ish-deputet, tashmë biznesmen, ka tentuar të marrë rreth 180 mijë euro nga kompania koncesionare e inceneratorit jo-funksional të Fierit për punime të pretenduara ndërtimore dhe të shoqëruara me fatura pa vulë.
Bujar Derveni ka qenë deputet i ish-Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) në periudhën 2013-2017. Para se merrte mandatin, ai ka qenë aksioner dhe administrator në shoqërinë e ndërtimit “Eurogrup Themele Speciale”. Derveni u shkëput nga administrimi i shoqërisë përsa kohë që ishte në Parlament dhe u rikthye në aktivitetin tregtar pas përfundimit të mandatit.

Aktualisht, Bujar Derveni është aksioneri i vetëm i “Eurogrup Themele Speciale”. Në mars të vitit 2025, shoqëria e Dervenit dorëzoi një kërkesë në Gjykatën e Tiranës, në të cilën kërkohej lëshimi i urdhër-ekzekutimit për 7 fatura që nuk i ishin paguar prej disa vitesh nga ana e kompanisë “Integrated Technology Waste Treatment, Fier”.
