Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar retorikën ndaj opozitës, duke e akuzuar atë se po dëmton qëllimisht procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Nga asambleja e Partisë Socialiste në Vlora, ai e cilësoi opozitën si “molotovarët”, duke e lidhur atë me tentativa për të sabotuar rrugën drejt Bashkimi Evropian.
Sipas Ramës, sjellja e opozitës shqiptare është e paprecedentë në historinë e vendeve kandidate për në BE. Ai theksoi se nuk ka ndodhur më parë që një opozitë të shkojë në Bruksel për të kërkuar bllokimin e vendit të saj.
“Është e paimagjinueshme, por ja që na ka rënë ne kjo,” u shpreh kryeministri, duke shtuar se sipas tij, në vend që të kontribuojë për avancimin e procesit, opozita po përpiqet ta pengojë atë.
Rama deklaroi se këtë qëndrim nuk e vlerëson vetëm ai, por edhe përfaqësues të vendeve europiane, të cilët, sipas tij, shprehen të habitur nga kjo sjellje. Ai solli si krahasim edhe raste të tjera në rajon, duke përmendur se edhe në situata konfliktesh, si në Maqedoninë e Veriut, opozitat nuk kanë ndërmarrë veprime të tilla.
Kreu i qeverisë e konsideroi këtë qasje si një përpjekje për të “eksportuar llum” në Europë dhe për të penguar sa më shumë përparimin e vendit në procesin e integrimit.
Deklaratat vijnë në një moment kur debati politik në vend është përshkallëzuar, ndërsa procesi i integrimit europian mbetet një nga temat kryesore të përplasjes mes mazhorancës dhe opozitës.
