Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka reaguar pas protestës së operatorëve të mjeteve lundruese në Ksamil, duke akuzuar Bashkia Sarandë për mungesë planifikimi dhe papërgjegjshmëri në prag të sezonit turistik.
Në reagimin e saj, Zhupa deklaroi se operatorët e skafeve janë detyruar të protestojnë për shkak të mungesës së një zgjidhjeje për vendbazimin e mjeteve lundruese.
Sipas saj, bashkia duhej ta kishte zgjidhur këtë problem përpara nisjes së sezonit veror.
“Sezoni turistik ka nisur dhe Ksamili pret mijëra vizitorë, ndërsa operatorët turistikë detyrohen të protestojnë për një çështje që Bashkia e Sarandës duhej ta kishte zgjidhur me kohë”, u shpreh Zhupa.
Deputetja e opozitës tha se situata po krijon pasiguri për dhjetëra familje që jetojnë nga turizmi dhe aktivitetet detare.
Ajo kritikoi gjithashtu propozimin për katër korridore lundrimi, duke deklaruar se vetë operatorët e konsiderojnë atë problematik dhe burim konfliktesh.
“Zgjidhjet e propozuara rrezikojnë të krijojnë konflikte mes operatorëve dhe probleme në menaxhimin e aktivitetit turistik”, tha ajo.
Zhupa kërkoi reagim të menjëhershëm nga Bashkia e Sarandës dhe një zgjidhje afatgjatë për operatorët turistikë.
“Turizmi nuk mbahet me propagandë, por me përgjegjësi dhe menaxhim serioz”, përfundoi ajo.
