Kjo do të thotë se nëse një person fizik ka realizuar një fitim tatimor prej 20 milionë lekësh, ata do të paguajnë 15% për fitimin deri në 14 milionë lekë dhe 23% për pjesën e mbetur prej 6 milionë lekësh. Kjo formë e re llogaritjeje, automatikisht rrit tatimin që duhet të paguajnë personat fizikë që deklarojnë fitime tatimore mbi 14 mln lekë në vit.
Më parë, personat fizikë me fitime në këto nivele paguan tatim fitimi prej 15% për të gjithë shumën. (në rastin konkret, 15% e 20 mln lekë).
Në këtë mënyrë tatim fitimi për personal fizikë që deklarojnë fitime mbi 14 mln lekë në vit barazohet me ato të shoqërive me përgjegjësi të kufizuar dhe shoqërive anonime, që paguajnë 15% tatim fitimi dhe më pas 8% për pjesën e fitimit që shpërndajnë si dividend. (në fakt, duke qenë se personat fizikë nuk shpërndajnë dividend, ata do të jenë të detyruar të paguajnë 23% për gjithë shumën mbi 14 mln lekë, ndryshe nga shpk-të dhe SHA-të që mund të mos shpërndajnë dividend, ose të shpërndajnë një pjesë të fitimit si dividend).
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në rang kombëtar janë më pak se 400 tatimpagues persona fizikë që realizojnë fitim neto mbi 14 milionë lekë dhe përfshihen në këtë skemë tatimore me normë deri në 23%.
