Goditja e paligjshme e Policisë ndaj kompanisë “Delvina Gas”, e cila u konfirmua si e tillë nga Prokuroria e Sarandës, duke liruar brenda pak orësh dy inxhinierët e “arrestuar në flagrancë”, ngriti pikëpyetje të fuqishme publike mbi qëllimin e vërtetë të ndërhyrjes së uniformave blu kundër kompanisë koncesionare që administron vendburimin e gazit në zonën e Delvinës, në qytetin jugor.
Në 29 Korrik të këtij viti, Policia njoftoi arrestimin e inxhinierëve të “Delvina Gas”, Luan Metaj dhe Elton Malkaj, si edhe shpalljen në kërkim të biznesmenit Sokol Meqemeja, që mendohet se është një prej pronarëve fundorë të kompanisë, nën dyshimet se kishin ndërtuar pa leje një termocentral (TEC).
Megjithatë, të dhënat zyrtare, të publikuara më herët edhe nga “Boldnews.al”, tregojnë se nuk bëhet fjalë për TEC, por për një impiant të pastrimit të gazit, një vepër e cila është pjesë e kontratës koncesionare mes qeverisë shqiptare dhe “Delvina Gas Company”.
