Kreu i Partia e Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga burgu me akuza të forta ndaj qeverisë, duke pretenduar se ekonomia shqiptare po ndikohet nga paratë e drogës dhe korrupsioni.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta u shpreh se projekti “Diella” nuk mund të fshehë realitetin që, sipas tij, përjetojnë qytetarët shqiptarë çdo ditë.
“‘Diella’ nuk i mbulon dot të vërtetat që i di e gjithë bota, por dhe që i vuajnë çdo ditë e më shumë shqiptarët”, shkroi ai.
Meta lidhi zhvlerësimin e euros dhe dollarit kundrejt lekut me atë që e cilësoi si “narkoekonomi”, duke pretenduar se kjo është tregues i një “Narkoshteti”.
Ai iu referua edhe raportit të Transparency International për korrupsionin, duke deklaruar se ndërthurja e korrupsionit me pushtetin politik po sjell pasoja të rënda për qytetarët.
Sipas Metës, “kur paratë e drogës dhe korrupsionit shkrihen në një me shtetin, pasojat janë katastrofike për qytetarët”.
Në reagimin e tij, Meta shprehu solidaritet edhe për gazetarin investigativ italian Nello Trocchia, duke pretenduar se ka tentativa për të intimiduar gazetarët kritikë ndaj qeverisë.
