Kreu i Partia Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për rritje të ndjeshme të prokurimeve sekrete dhe dhënie koncesionesh në kundërshtim me ligjin e ndryshuar të partneriteteve publike-private.
Në një konferencë për shtyp, Berisha deklaroi se pas ndryshimeve në ligjin e PPP-ve gjatë vitit 2024, asnjë koncesion nuk është dhënë sipas procedurave të reja ligjore, ndërsa sipas tij janë miratuar 10 koncesione përmes vendimeve qeveritare, duke anashkaluar ligjin.
“Sot janë 10 koncesione të dhëna në kundërshtim, në anashkalim të plotë të ligjit të amenduar të vitit 2024. Ky është sistemi mafioz”, deklaroi Berisha.
Ai pretendoi gjithashtu se është rritur ndjeshëm numri i procedurave sekrete të prokurimit publik, duke krahasuar periudhën aktuale me qeverisjen e mëparshme.
“Sot me qindra procedura sekrete janë fituar nga Armand Frangu. Vetëm në një vit ka marrë 800 pagesa nga Thesari i Shtetit”, tha Berisha.
Sipas tij, AKSHI ka firmosur mbi 500 procedura sekrete, ndërsa akuzoi qeverinë për përjashtim të kompanive europiane nga garat publike.
Berisha iu referua të dhënave të publikuara nga Open Data Albania dhe “Open Tender EU”, duke pretenduar se integriteti i prokurimeve publike në Shqipëri ka rënë ndjeshëm.
Ai i bëri thirrje Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian që të monitorojnë zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nga Shqipëria dhe të mos pranojnë, sipas tij, përjashtimin e kompanive europiane nga tenderat publikë në vend.
