Avokat i njohur, Idajet Beqiri ka folur për aktualitetin në vend, teksa e ka ndalur theksin te sulmet që po bën Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj SPAK pas zërave se po hetohet. Avokat Beqiri thotë në një intervistë për gazetën “SOT”, se Presidenti i PL-së ka ndryshuar emrin dhe po përgatitet të arratiset për t’u shpëtuar prangave të SPAK. Po ashtu, avokati tregon pazaret e Metës me Berishën dhe kush është i afërti i Presdientit të PL që ka gllabëruara 70 milionë euro. Sipas tij, LSI u kijua me mbështetjen e Sali Berishës për të shkaktuar kaos brenda PS. Po ashtu, Beqiri thotë se Ilir Meta i bëri dhe lëvizjet e fundit strukturore në Partinë e Lirisë në një kohë që po hetohet nga drejtësia, vetëm për të treguar një lloj force dhe për të mbajtur pas vete grupin e tij kriminal si Haxhinaston, Vasilin dhe të tjerë ku me to ka kryer krime e korrupsion miliona euro. Më tej, avokati thotë se Ilir Meta i ka dhënë dajës së tij 600 tendera me firmën e vetë të një vlere prej 70 milion euro të cilat i hidhte në Kamzë për të blerë vota në zgjedhje. Gjithashtu Beqiri thekson se SPAK ka tre procedime penale të veprave të rënda ndaj Ilir Metës, si çështja e “CEZ-DIA”, lobimi në SHBA dhe operacionet estetike në vlera marramendëse dhe është koha për vendosjen e prangave e më pas të nis hetimet e tjera.
-Avokat Beqiri, të premten që shkoi ka patur një interpelancë me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla të kërkuar nga deputetët e Rithemelimit, Salianji. Këto të fundit akuzojnë se ka një rritje të nivelit të kriminalitetit në vend dhe policia në vlerësimin e tyre nuk po punon siç duhet duke rikujtuar deklaratën e Dumanit ku vuri në pikëpyetje duke thënë se ka edhe drejtues të policisë të cilët bashkëpunojnë me grupe kriminale. Sot si e vlerësoni ju situatën?
Të thirret në interpelancë ministri i Brendshëm, është një veprimtari normale e Kuvendit të Shqipërisë dhe vazhdimisht duhet të japin llogari dhe ta thonë situatën e të kuptojë dhe opinioni publik se ku e kemi nivelin e kriminalitetit në vend. Situata nuk është ajo që ka qenë, kriminaliteti në vend ka ardhur duke u ulur. Kemi përmirësime të dukshme në veprat penale kundër njeriut, kundër të trafiqeve të drogës, thuajse kemi çuar drejt fundit trafikimi i qenieve njerëzore.
-Sa i përket ngjarjeve të pazbardhura, si rasti i atentatit ndaj “Top Channel”?
Është e vërtetë që kemi shumë vrasje të pazbardhura, kemi mjaft masakra që nuk po zbardhen dhe faktikisht dihen, Policia e Shtetit e di dhe se kush i ka kryer këto vrasje dhe pse nuk e marrin guximin të shkojnë në bankën e të akuzuarve sepse janë vepra penale të cilat si dënim kanë burgimin e përjetshëm, të cilat në përgjithësi nuk shkruhen. Por kur t’i kapësh, duhet t’i marrësh e t’i dënosh. Në masakrën e Përmetit ku janë vrarë 6 persona dhe dihet se kush janë autorët e atyre vrasjeve. Ia kemi thënë dhe SPAK emra konkret se kush i ka analizuar ato vrasje. Në këtë vend është vrarë një ndër heronjtë e UÇK-së së Kosovës bashkë me një mjek nga më të fortët dhe udhëheqës të UÇK-së, Ilir Konushevci dhe doktor Haziri. Këto të dy dihet se kush i vra dhe motivi. U vranë me urdhër të Serbisë, u vranë që t’ju merreshin armët që kishin, që i mblodhën në Shqipëri e gjithandej për UÇK-në, iu bë prit në hyrje të Tropojës.
-A është problem bashkëpunimi i efektivëve apo i oficerëve në nivel drejtues me krimin e organizuar, siç e evidentoi Altin Dumani?
Problemi është se Policia e Shtetit ka qenë pjesë e krimit dhe ka qenë shumë e vështirë të bëhet pastrimi i krimit në të. Ka arritje dhe është bërë luftë meritore në mjaft sektorë por ka ngelur ende metastazat e krimit të lidhur me Policinë e Shtetit. Kanë ngelur ende elementë të pa pastruar dhe nëse jep alarmin me të drejtë Dumani, ka të vërteta që jo vetëm se dekonspirojnë aksionet dhe akuzat që ngre SPAK për bashkëpunimin e policisë me krimin, ia vështirësojnë punën, sikurse ka vetë element në Policinë e Shtetit, të cilët duke qenë vetë pjesë e krimit të mbulojnë grupet kriminale, që kanë bërë dhe vrasje e akte terroriste.
-Në një deklaratë që Ilir Meta ka drejtuar ndaj kreut të SPAK se as Mehmet Shehu nuk do t’i bënte deklaratat skandaloze sipas tij që bëri Dumani për Gjykatat, ku tha se nuk do t’i ndal sulmet, si iu duken këto deklarata?
Ilir Meta do të vazhdojë sulmet, sa kohë që SPAK nuk do të veprojë kundër tij. SPAK po vonohet për të vepruar kundër tij. Në pikëpamjen juridike mundet që SPAK po vonohet dhe për shkaqe objektive, se bie fjala që sot Ilir Meta do të ishte arrestuar nëse nuk do të dilnin 7 pasuritë e paluajtshme të grabitura nga njerëzit e familjes së tij, posaçërisht toka në Rinas. Pasuri të cilat dolën në emër të vëllait, nënës së Monika Kryemadhit dhe emrin e vetë Ilirit. Kur SPAK sheh se dosjen e ka për pastrim të produkteve që rrjedhin nga një krim dhe e ka gati për ta dërguar për të marrë masën e sigurimit të tij, e ka gati ‘CEZ-DIA-n’, ose deklarimin e pasurisë, për operacionet estetike që ka bërë në shuma marramendëse, kur dalin edhe rrethana të reja, kur vijnë edhe prova të tjera, thonë që ta shtojmë edhe këtë sepse më i madh bëhet mali e për rrjedhojë kjo e zvarrit procesin. Kjo nuk është një taktikë e mirë e SPAK.
-A po e ndjek SPAK, a po e gjurmon paranë?
Po, derisa i shkojnë dhe 7 denoncime të tjera dhe SPAK po i bën pjesë të hetimit, po do i justifikojë dhe këto, nesër është i detyruar që t’i sekuestrojë. Nuk justifikohet shkollimi tre fëmijëve të Ilir Metës në Londër, vetëm me pasurinë e çiftit. Vetëm shkollimi i tyre, lë pastaj pasuri të tjera e blerje pafund, administrime vilash miliona euro, apartamente, toka, blerje miniere në Kongo. Nuk bëhen këto me 30 milion euro në vit që të jep shteti.
-A mendoni se kanë përgjegjësi bashkëpunëtorët e tij politik, dy ish-kryeministrat e vendit pasi ka qeverisur me to?
Patjetër që kanë përgjegjësi, madje dhe për korrupsionin që ka bërë Ilir Meta pasi e ka bërë me ndihmën e dy qeverive, të qeverisë Berisha dhe qeverisë Rama. Nëse bëri korrupsion të paparë dhe që nuk ka la gjë pa vjedhur e grabitur në këtë vend, Meta e ka bërë posaçërisht në vitet 1999-2002. Atëherë vodhi floririn, por në pushtet ishin socialistët apo deri në vitin kur ishte vetë kryeministër i vendit nuk la korrupsion pa bërë më Albtelecom-in, me AKEP-in, që është afera më e rëndë korruptive ku ‘CEZ-DIA’ është aferë e vogël në raport me këto.
-Si shpjegohet se kryeministrat respektiv, drejtuesit e koalicioneve e kanë lejuar nëse qëndrojnë të gjitha këto kallëzime?
E lejoi Berisha që të bënte korrupsion të jashtëzakonshëm sepse LSI-në e krijoi si SHPK, e krijoi si organizatë kriminale për të vjedhur dhe i tha sa pushtet të dhashë unë ty, 20% të votave të mia të solli në pushtet.
-E krijoi Berisha LSI-në?
Si rezultat i Berishës u krijua LSI-ja. Berisha po të mos ishte krijuar LSI-ja, nuk vinte dot në pushtet në 2005-ën. Berisha e ka patur zar në dorën e tij Ilir Metën dhe e ka hedhur kur ka dashur. Iu desh atëherë që Sali Berisha t’ju ulte autoritetin në maksimum Fatos Nanos, Ilir Meta nuk la gjë pa bërë. Merrte Monikën, Monika te sekretari i Përgjithshëm i partisë Italiane, Demokracia Italiane. Iliri te kryetari i Parlamentit Europian Socialist dhe shpifnin sa mundnin kundër Fatos Nanos. Sa herë i duhej Saliut, iu desh që të shkëputesh që atje që të merrte një pjesë të mirë të Partisë Socialistë. Ia mori dhe votat shkuan në interes të Saliut dhe me votat LSI-së më pas PS iku nga pushteti. Me votat e Ilir Metës, Sali Berisha erdhi dhe mbajti pushtetin deri në vitin 2009-2013-ën. Edhe nga viti 2013-2017, Ilir Meta bëri të njëjtën gjë me Edi Ramën ku bëri koalicionin dhe Rama erdhi në pushtet. Të njëjtin korrupsion edhe 20% e deshi me Edi Ramën. E mori atë 20%, e kalbi qeverisjen dhe të socialistëve në katër vitet e para në sektorët që mbulonte ai me Petrit Vasilin, me Haxhinaston, me Erisa Xhixhon që bëri namin me babain e tij, Pirron, korrupsion të jashtëzakonshëm me miliona e miliona euro. LSI-ja u krijua si organizatë kriminale, i doja boja dhe për të humbur gjurmën e krimit, më pas ndërroi emrin në Parti e Lirisë.
-Ndryshimet brenda Partisë së Lirisë, për çfarë shërbejnë?
Çdo gjë po bën, çdo lëvizje që po bën dhe ato çmendurore, edhe ato që e jep veten për t’u treguar që e ka kapërcyer nga faza, me akte të tilla synon drejt papërgjegjshmërisë penale, sepse të sulmosh me gjithë ato fjalë SPAK-un apo ndërkombëtarët apo të bësh deklarata qesharake e akrobacira sa në mal e sa në paralele, një njeri normal nuk i bën të tilla gjëra.
-Çfarë po synon?
Me këto lëvizje po synon për të treguar një lloj force, për t’i mbajtur të lidhur pas vetes grupin e strukturuar kriminal si Edmond Haxhinaston pasi ato krime nuk i ka kryer vetëm. E ka në krah Haxhinaston pasi ka bërë shumë krime e korrupsion me të, ka në krah Petrit Vasilin. Mos harroni se kur Petrit Vasili ishte ministër i Shëndetësisë deri në vitin 2012 i ka dhënë dajës së tij 600 tendera. 70 milion euro i ka marrë daja i Petrit Vasilit.
-A ka një procedim të tillë në SPAK?
Nuk është vetëm një procedim, daja e Ilir Metës ka marrë 70 milion euro tendera nga Ilir Meta, me firmën e Ilir Metës dhe këto 70 milion euro i hidhte në Kamzë për të blerë vota në Kamze. SPAK ka aq shumë kallëzime penale për Ilir Metën, sepse është i krimbur në korrupsion, në krim e grabitje të pasurive të shqiptarëve sa domosdo do bësh deklarata të tilla. Por SPAK nuk duhet të vonohet, sepse SPAK mendon se do i hetojë të gjitha në front. SPAK i ka të gatshme tre procedime penale si çështja e ‘CEZ-DIA’, lobimi në SHBA dhe operacionet estetike në vlera marramendëse, vendosja hekurat dhe më pas nis hetimet e tjera. Deri në 10 vite duhen të përfundojnë hetimet dhe gjykimet deri në fund të krimeve që ka bërë Ilir Meta, familja e tij, të Sali Berishës dhe familjes së tij dhe bashkëpunëtorët e tyre. Meta ka të dhëna se ka një pasaportë me emër tjetër dhe po përgatitet terrenin për t’u arratisur, kështu që Prokuroria e Posaçme nuk duhet të vonohet, por duhet ta neutralziojë këtë kriminel dhe balenë të korrupsionin.
