Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj doli ditën e djeshme me një valixhe me dokumente nga Prokuroria e Posaçme. Ilir Beqaj u paraqit në Gjykatë për të marrë aktet hetimore të dosjes së Sterilizimit që do i bëjë “gropën”. Ai akuzohet për shpërdorim detyre. Vetë Beqaj tha për median se dosja është shumë e madhe. Fillimisht Beqaj refuzoi që të paguante shumën prej rreth 10 milionë lekë për të marrë këtë dosje. Më pas GJKKO ia vuri falas në dispozicion atij. Nga hetimet e SPAK del se Beqaj nuk parandaloi konfliktin e interesit mes biznesmenit Ilir Rrapaj dhe ish zv/ministrit Klodian Rjepaj. Po ashtu ai nuk konstatoi fryrjen e kostove nga ana e komisionit.
Zbardhet zanafilla e koncesionit 100 milionë euro
Emisioni “Në Shënjestër” disa kohë më parë hodhi dritë mbi kë koncesion që në letra, dukej i qepur pastër, ashtu si edhe vetë sterilizimi i setit të pajisjeve kirurgjikale nëpër spitale, por që pas hetimeve të gjata disavjeçare të kryera nga SPAK, ky koncesion në fakt do të rezultonte të ishte më i ndotur se edhe vetë sallat operatore, që po ata kishin tenderuar për t’i shpëtuar nga mikrobet. Po cilat ishin gjetjet e SPAK lidhur mbi koncesionin e Sterilizimit dhe përse ky tender i aq shumë lëvduar nga vetë kryeministri Rama, përfundoi ashtu si shumë sivëllezër të tij të ngjashëm në dyert e drejtësisë? Për të kuptuar më mirë se si ‘Sterilizimi’ përfundoi në prangat e SPAK, është me vend të kthehemi shumë pas në kohë, pikërisht 11 vite më parë.
Dalja në skenë e Beqajt
Në vitin 2013, periudha kur në qeverisje, rikthehet Partia Socialiste, e cila mori pushtetin pas një mungese 8-vjeçare me divizën e duarve të pastra. Ardhje në pushtet ku fillojnë dhe bien në sy edhe disa marrëdhënie klienteliste, midis ministrave të rinj dhe biznesmenëve deri në këtë kohë të panjohur për tregun shqiptar. Raporte të padukshme që shpejt do të konkretizoheshin me marrëveshje bashkëpunimi dhe koncesione të majme për cilindo biznesmen që do të dorovitej me të tilla shuma parash. Një histori e tillë e ngjashme duket të jetë edhe kjo e koncesionit të ‘Sterilizimit’ prej 9.6 miliardë lekësh i dhënë nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2015, që prej 4 vitesh ka përfunduar në duart e SPAK. Tenderi i dyshimtë sot i gllabëron buxhetit të shtetit mesatarisht rreth 1.6 miliardë lekë ose 13 milionë euro në vit. Sipas dosjes, gjithçka nis e merr jetë në vitin 2013, periudhë në të cilën ministër i Shëndetësisë do të emërohet Ilir Beqaj, një ish-basketbollist i Dinamos të viteve ‘80, që një pjesë të mirë të aktivitetit të tij sportiv, e kishte ndarë me Edi Ramën, shoku i tij i rinisë së hershme, që në vitin 2013 do të zgjidhej kryeministër i Shqipërisë.
Ilir Rrapaj
Në kabinetin e tij do të bënte vend, në postin e Ministrit të Shëndetësisë, edhe për mikun e vjetër, Ilir Beqaj. Ndër operacionet e tij të para që do të ndërmerrte si ministër, do të ishte edhe ai për kurimin rrënjësor të Shëndetësisë. Në këtë kuadër, bisturia e parë për ta shpëtuar tashmë njëherë e mirë këtë shëndetësi nga lëngimi i thellë, ku sipas socialistëve e kishin lënë demokratët, do të ishte ai i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale nëpër spitale. Madje, për ta bërë sa më të besueshme divizën e tyre se epoka kur shëndetësia ishte lënë pas dore kishte marrë fund, më 22 nëntor të vitit 2013, qeveria Rama organizoi në pallatin e Brigadave në Tiranë edhe Nismën “Thuaj po Shqipërisë”. Të pranishëm në këtë tubim ishin profesionistët më të mirë shqiptarë në fushën e mjekësisë, të thirrur në këtë sallë nga vende të ndryshme të botës. Por ndërsa në sallë binin tek-tuk në sy emra të njohur të shkencës së mjekësisë, midis tyre vihet re si pjesëmarrës i ulur në radhët e para të karrigeve, një personazh deri në këtë moment i panjohur për publikun, që për kohën nuk duket se prodhonte ndonjë lajm kush e di se çfarë. Por në vazhdim do të përbënte edhe fillesën e një hetimi të gjatë, nga ku do të rezultonte se personi i ulur përballë kryeministrit Rama dhe drejtuesve të lartë të Shëndetësisë, nuk do të ishte edhe aq rastësisht i përzgjedhur të qëndronte në radhët e para të karrigeve. Ky personazh, do të ishte Ilir Rrapaj, një biznesmen që punët e tij si afarist deri në këtë kohë i kishte zhvilluar në Peruxhia të Italisë.
Detajet
Aty ai ishte pronar i një agjencie ndërmjetësimi si edhe i një kompanie modeste ndërtimi, sipërmarrje që rezultonte të kishte vetëm një të punësuar, vetë biznesmenin Ilir Rrapaj. “Më datë 20 nëntor 2021 nga kërkimet e kryera në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, rezulton se nga postimi i datës 27 Nëntor 2013 me titull ‘Thuaji Po Shqipërisë’, vërehet një album me fotografi të aktivitetit sipërcituar. Në këto fotografi bie në sy se në disa prej tyre është fokusuar shtetasi Ilir Rrapaj, i cili ndodhet në praninë edhe të Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, si dhe Zvmministrit Klodian Rjepaj”, thuhet në dosjen hetimore.
Udhëtimet mes tyre
Do të ishte pikërisht Ilir Rrapaj, njeriu që deri në këtë moment qëndronte në krah të ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe numrit dy të dikasterit, Klodian Rjepaj, që pas aktivitetit ‘Thuaj Po Shqipërisë’, do të ishte në vitin 2015, fitues i koncesionit 100 milionë euro të Sterilizimit nëpërmjet kompanisë ‘SaniService’ Disi e habitshme po të mendosh kapitalin dhe sipërmarrjen që Ilir Rrapaj kishte në Itali, koncesion që pas kallëzimit të Nismës ‘Thurje’ në dhjetor të vitit 2019, përfundoi në SPAK. Por prania e biznesmenit Ilir Rrapaj në krah të dy drejtuesve të lartë të Shëndetësisë në tubimin mjekësor “Thuaj po Shqipërisë”, nuk do të ishte e para, por as edhe e vetmja në vazhdim. Këtë herë ai do të shfaqej në praninë e tyre, vetëm dy javë më pas, në një pritje që Universiteti i Peruxhias, kishte organizuar për ministrin Beqaj. “Më datë 18 dhjetor 2013, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe zv/ministri Klodian Rjepaj, janë takuar me drejtues akademikë të Universitetit të Peruxhias.
Fotoja
Fotoja duket se shërbeu për SPAK edhe si një indicie për të ndjekur të gjithë linjën e afeksionit që lidhi më pas ministrin e Shëndetësisë dhe zëvendësin e tij me biznesmenin që në vitin 2015 do të fitonte koncesionin shumëmiliardësh të ‘Sterilizimit’. Pikërisht në këtë foto, në sallë ndodhet i ulur edhe një tjetër personazh, i cili do të rezultojë nga hulumtimet e SPAK, se është një tjetër aktor i rëndësishëm i kompanisë ‘SaniService’, kompania, që siç thamë në vitin 2015 do të fitonte koncesionin e sterilizimit. Ky person del të jetë Umbro Staccini (Umbro Staçini). “Në njërën nga fotografitë në dukje të një salle me karrige ku ndodhen të ulur ministri Ilir Beqaj, zv/ministri Klodian Rjepaj, shtetasi Ilir Rrapaj, vërehet dhe një person tjetër, në dukje si shtetasi Umbro Staccini. Këta janë aktorët me të rëndësishëm të koncensionarit ‘SaniService’. Gjithashtu vërehet në dukje edhe Prof. Gianni Bidini”, thuhet më tej në dosje.
Firma
Menjëherë pasi është firmosur ky memorandum bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Rajonit të Umbrias, sipas dokumentacionit që ka siguruar SPAK, në muajin prill 2014 ministri Ilir Beqaj thërret në takim shefat e shërbimit të Kirurgjisë. Qëllim i takimit del të jetë mundësia e ofrimit të shërbimit të sterilizimit të instrumenteve mjekësore për sallat e operacionit. Marrëveshja ndërkohë u dërgohet edhe katër dikastereve të tjerë ministrorë që firmosin pa hezitim. “Me shkresën Nr. 2202 Prot., datë 2 Prill 2014 të Ministrit të Shëndetësisë llir Beqaj, drejtuar Shefave të Shërbimit të Kirurgjisë, u kërkohet atyre takim në Ministrinë e Shëndetësisë më datë 4 Prill 2014 ora 16:00, për strategjinë e Sistemit Shëndetësor, ku në bashkëpunim me Universitetin e Peruxhias Itali, organizojnë një takim në lidhje me mundësinë e ofrimit të shërbimit të sterilizimit të instrumenteve mjekësore për sallat e operacionit”, thotë dosja hetimore. Sipas dosjes hetimore “më 21 deri më 23 Janar 2014 në Shqipëri vjen delegacioni italian me kryesues Prof.Gianni Bidini të Universitetit të Peruxhias, si pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit nënshkruar në datat 16-18 Dhjetor 2013”.
Lidhjet
Por ndërsa ishin bërë gjithë këto ecejake ministrore për të formuluar një studim fizibiliteti cilësor dhe të qëndrueshëm për të siguruar sterilizimin e duhur të pajisjeve kirurgjikale në spitale, duket se Ministria shqiptare e Shëndetësisë, zgjodhi rrugën më të shkurtër për ta bërë sa më shpejt këtë studim. Duke përdorur pjesë të studimit të fizibilitetit të përgatitur po vetë nga delegacioni italian i mbërritur në Tiranë, ku pjesë e këtij delegacioni ishin edhe Ilir Rrapaj dhe Umbro Staccini, dy partnerët kryesorë të ‘SaniService’, që në vitin 2015 do të fitonin koncesionin prej 100 milionë euro të sterilizimit, çka rriti dyshimin te SPAK, mbi një klientelizëm të mundshëm midis tyre dhe drejtuesve të Ministrisë Shqiptare të Shëndetësisë; si dhe një paracaktim të fituesit të koncesionit. Në fund për Prokurorinë e Posaçme ka dale qartë, se miqësia e hershme midis Rjepaj dhe Rrapaj që datonte nga koha kur ata ishin shokë në qytetin e Vlorës dhe më pas në të njëjtin kurs studimi në Fakultetin e Mjekësisë, kishte ushqyer më pas koncesionin e Sterilizimit. Rjepaj, në cilësinë e zv/ministrit të Shëndetësisë kishte rigjetur pas 18 vitesh edhe njëherë shokun e vjetër të bankave të shkollës, tashmë biznesmen, për të krijuar këtë lidhje klienteliste.
