Ilir Alimehmeti: Tirana po bëhet e pajetueshme, çmimet i ka rritur paraja informale

Data

Këshilltari bashkiak i opozitës, Ilir Alimehmeti, ka deklaruar se jeta në Tirana është kthyer në një makth për qytetarët, për shkak të trafikut, mungesës së parkimeve dhe kostos së lartë të jetesës.

I ftuar në një studio televizive, Alimehmeti tha se banorët e kryeqytetit përballen çdo ditë me stresin e trafikut dhe me pamundësinë për të përballuar çmimet e banesave.

Sipas tij, në disa zona të Tiranës çmimet kanë arritur deri në 5 mijë apo 6 mijë euro për metër katror, duke e bërë blerjen e një apartamenti të paarritshme për familjet me të ardhura mesatare.

Ai deklaroi se ekspertët kanë llogaritur se një familje me dy paga mesatare do të kishte nevojë për 70 deri në 100 vite punë për të blerë një banesë në periferi të kryeqytetit.

“Një familje me dy rroga mesatare, për të blerë një shtëpi jo në qendër, por diku rreth Unazës së Madhe, ka nevojë për 70 deri në 100 vite punë”, u shpreh Alimehmeti.

Këshilltari i opozitës hodhi poshtë pretendimet se rritja e çmimeve është shkaktuar nga turizmi, duke thënë se sipas tij tregu i pasurive të paluajtshme është deformuar nga paraja informale.

“Këto çmime nuk i ka rritur turizmi. I ka rritur paraja informale që hyn në tregun e imobiliareve në Shqipëri”, deklaroi ai.

Alimehmeti akuzoi mazhorancën në Këshillin Bashkiak se vepron si “noteri” e vendimeve të qeverisë dhe se nuk merret me problemet reale të qytetarëve.

Sipas tij, propozimet e opozitës nuk futen në rend dite dhe nuk diskutohen, ndërsa vendimmarrja bëhet sipas urdhrave politikë.

Ai shtoi se, sipas tij, po ndiqet një strategji për të larguar banorët e zakonshëm nga zonat e lakmuara të kryeqytetit dhe për ta kthyer Tiranën në një qytet të përkohshëm për ata që vijnë nga rrethet para se të emigrojnë jashtë vendit.

“Po mundohen të largojnë njerëzit nga zonat qendrore dhe ta zbrazin vendin nga banorët normalë”, tha Alimehmeti.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related