Autoritetet shëndetësore kanë identifikuar “pacientin zero” të shpërthimit të hantavirusit në anijen turistike Hondius, ndërsa po përgatitet një operacion i posaçëm për evakuimin dhe izolimin e pasagjerëve në Ishujt Kanarie.
Sipas raportimeve, pacienti i parë i infektuar është ornitologu 70-vjeçar Leo Schilperund, i cili humbi jetën bashkë me bashkëshorten e tij pas një udhëtimi disa mujor në Amerikën e Jugut. Çifti kishte vizituar Argjentinën, Kilin dhe Uruguain përpara se të hipte në anijen turistike.
Anija pritet të ankorohet pranë portit industrial të Granadillës në Tenerife, ku pasagjerët do të zbresin në grupe të vogla dhe do të transportohen direkt drejt aeroportit për riatdhesim. Shtetasit spanjollë do të dërgohen në Madrid për karantinë dhe monitorim mjekësor.
Ekspertët po vlerësojnë kohëzgjatjen e izolimit, pasi hantavirusi mund të ketë periudhë inkubacioni deri në 45 ditë. Varianti i Andeve, i identifikuar në këtë rast, konsiderohet forma e vetme e njohur që transmetohet edhe nga njeriu te njeriu.
Autoritetet spanjolle dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë deklaruar se rreziku për popullsinë mbetet i ulët, por situata po monitorohet me kujdes të shtuar.
