Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ka deklaruar se mbështetja ushtarake e Turqisë po e fuqizon ndjeshëm Kosovën përballë sfidave të sigurisë në rajon.
Në një intervistë televizive, Kastrati tha se Turqia është një nga furnizuesit më të mëdhenj të Kosovës me armatime dhe pajisje ushtarake, krahas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, bashkëpunimi strategjik mes dy vendeve po ndihmon në ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe ushtarake të Kosovës.
Ai zbuloi se deri në fund të këtij viti Kosova pritet të ketë fabrikën e saj për prodhimin e municioneve deri në kalibrin 12.5 mm, një projekt që konsiderohet arritje e madhe për sektorin e mbrojtjes.
Kastrati vlerësoi gjithashtu fuqinë ushtarake të Turqisë, duke theksuar se Ankaraja prodhon brenda territorit të saj pothuajse të gjitha pajisjet strategjike ushtarake, nga dronët e helikopterët deri te raketat me rreze të gjatë veprimi.
Sipas ish-kreut të FSK-së, roli i Turqisë është thelbësor edhe për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, sidomos në kushtet e armatosjes së vazhdueshme të Serbisë dhe tensioneve me Kosovën e Bosnjë-Hercegovinën.
Ai theksoi se aleanca mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë ka rëndësi të veçantë strategjike për sigurinë e rajonit dhe për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të shqiptarëve në Ballkan.
