Spahiu: Berishën e largon vetëm një dënim penal ose qytetarët kur të kuptojnë se Rama e përdor si patericë

Data

Juristi Kreshnik Spahiu ka deklaruar se largimi i Sali Berisha nga politika mund të vijë vetëm në dy mënyra: përmes një dënimi penal nga gjykata ose nga reagimi i qytetarëve, nëse sipas tij kuptojnë se Berisha po përdoret politikisht nga kryeministri Edi Rama.

I ftuar në një emision televiziv, Spahiu u shpreh se ekzistojnë tre faktorë teorikë që mund ta largojnë Berishën nga drejtimi i politikës, por sipas tij dy prej tyre nuk kanë gjasa të ndodhin.

“Berishën mund ta largojë Zoti, mund ta largojë Rama dhe mund ta largojë Gjykata përmes një dënimi penal”, deklaroi ai.

Sipas Spahiut, Rama nuk ka interes politik për largimin e Berishës, pasi e konsideron të dobishëm për kalkulimet e tij politike dhe përballjen me faktorët ndërkombëtarë.

“Ai është njeriu më i interesuar për ta mbajtur Berishën, për të mbyllur hesapet e tij politike dhe për t’i thënë faktorit ndërkombëtar: ose gogoli, ose unë”, tha Spahiu.

Juristi shtoi se edhe një vendim penal ndaj Berishës mbetet shumë i vështirë për t’u realizuar në praktikë.

Sipas tij, klima politike dhe mungesa e guximit institucional e bëjnë pothuajse të pamundur që një gjykatë shqiptare të marrë një vendim që do ta nxirrte Berishën përfundimisht nga politika.

“Nuk besoj se ka gjyqtarë që kanë kurajon dhe guximin për ta larguar nga politika me një vendim penal”, u shpreh ai.

Në përfundim, Spahiu deklaroi se alternativa e vetme reale mbetet ndërgjegjësimi qytetar dhe mbështetja për një forcë tjetër opozitare jashtë Partisë Demokratike.

“Shqiptarët duhet të kuptojnë që Berisha është një patericë e Ramës dhe duhet të votojnë një alternativë tjetër”, përfundoi Kreshnik Spahiu.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related