“Ia ka vënë syrin RTSH-së” – Berisha akuzon Ramën: Do t’ia falë një ‘Carlo’-je dhe do të ndërtojë kulla

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për mbylljen e Radio Televizionit Publik Shqiptar, duke e cilësuar këtë si një tjetër përpjekje për kapjen dhe privatizimin e pasurive publike.

Gjatë foltores së zhvilluar në Kombinat, Berisha u shpreh se Rama mund ta ketë tashmë gati planin për t’ia dhënë RTSH-në një individi të caktuar, duke aluduar se pas kritikave dhe thirrjeve për “reformë” fshihet synimi për ta nxjerrë televizionin kombëtar nga kontrolli publik.

Sipas Berishës, sulmet ndaj RTSH-së nuk kanë të bëjnë me përmirësimin e standardeve apo shërbimin ndaj qytetarëve, por me interesat private dhe klienteliste të qeverisë. Ai tha se televizioni publik po sulmohet sepse nuk i shërben mjaftueshëm propagandës qeveritare dhe se zëvendësimi i tij me media të kontrolluara është pjesë e një skeme më të gjerë.

Berisha theksoi se çdo vend europian ka një televizion kombëtar dhe se shkatërrimi ose dhënia me koncesion e RTSH-së do të ishte një goditje e rëndë ndaj informimit publik dhe demokracisë. Ai paralajmëroi se opozita nuk do të qëndrojë pasive dhe do të reagojë fort për mbrojtjen e institucionit, njësoj siç ka vepruar më parë në raste të tjera që, sipas tij, kanë rrezikuar interesin publik.

Në fjalën e tij, Berisha akuzoi qeverinë se ka mbushur studiot televizive me figura që, sipas tij, manipulojnë opinionin publik dhe mbrojnë kryeministrin, ndërsa tani synimi i radhës është televizioni publik. Ai shtoi se mbyllja apo transformimi i RTSH-së do të hapte rrugën për ndërtime dhe interesa financiare, në dëm të qytetarëve.

Në fund, Berisha bëri thirrje për rezistencë qytetare dhe institucionale, duke theksuar se RTSH është pronë e shqiptarëve dhe se opozita do të bëjë gjithçka për ta mbrojtur nga ajo që ai e quajti “kapje dhe grabitje e radhës nga qeveria”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related