Katër persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se përmes mashtrimit i kanë marrë një 55-vjeçari shumën prej 40 mijë eurosh te rrethrrotullimi i Rinasit.
Pas kallëzimit të viktimës, policia identifikoi dhe vuri në pranga shtetasit Krenar Toromeni (36 vjeç), Ilia Gjini (24 vjeç), Artur Lecini (39 vjeç) dhe Elton Rrushi (38 vjeç), ndërsa E.B. (34 vjeç) dhe L.M. (35 vjeç) u shpallën në kërkim. Sipas hetimeve, autorët janë vepruar në bashkëpunim, duke u prezantuar si të njohur të 55-vjeçarit për t’i marrë paratë.
Gjatë kontrollit në banesën e Artur Lecinit, ku u gjet edhe Elton Rrushi, policia zbuloi një ambient të përshtatur për kultivim bimësh narkotike. U sekuestruan dhjetëra bimë cannabis, pajisje elektrike (llamba dhe ventilatorë), sasi kokaine dhe cannabisi, 4 celularë si dhe një automjet “Audi Q5”, me të cilin autorët janë larguar pas marrjes së parave.
Operacioni u kodua “Skema” dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës. Vijon puna për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të rastit.
