I dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi Lajçak ‘u pret krahët’ dy vendeve: Shoqëritë nuk janë gati për normalizim

Data

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ekziston rreziku për destabilizim të Ballkanit Perëndimor, nëse palët nuk angazhohen në dialog dhe vazhdojnë të bëjnë veprime të pakoordinuara e të ngutshme. Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, në margjina të forumit Globsec, që po mbahet në Pragë, Lajçak e ka pranuar se nuk është bërë mjaftueshëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, të arritur mes palëve vitin e kaluar, por marrëveshje më e mirë nuk mund të arrihet dhe se palët duhet ta kuptojnë që përparimi në dialog është thellësisht i lidhur me rrugën e tyre drejt BE-së. “Nëse më pyesni mua, problemi është se dy shoqëritë [në Kosovë dhe në Serbi] nuk janë gati për normalizim”, ka theksuar ai.

I pyetur se si duhet të përfundojë dialogu, edhe nëse duhet të përfshihet njohja reciproke, ai ka thënë se u takon palëve të vendosin në atë aspekt. Ai ka folur edhe për sulmin në Banjskë dhe akuzat që i janë bërë nga zyrtarë të Kosovës për qasje të padrejtë ndaj vendit.

Lajçak, ju jeni afër fundit të mandatit si i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Shumica, përfshirë edhe vetë BE-në, thonë se është bërë pak dhe disa thonë edhe se dialogu ka dështuar, ka vdekur. Çfarë shkoi keq?

Mirosllav Lajçak: Dialogu është vendimtar për Kosovën dhe Serbinë, nëse e kanë seriozisht për aspiratat e tyre evropiane, sepse Bashkimi Evropian e ka bërë shumë të qartë që para se të shqyrtohen seriozisht për pranim [në BE], ata duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet. Kështu që nuk ka asnjë rrugë përreth kësaj. Kjo është një gjë.

Së dyti, Bashkimi Evropian është ndërmjetësues i këtij procesi, por procesi është nën pronësi të dy palëve, Kosovës dhe Serbisë. Ne po e bëjmë më të mirën tonë për t’i ndihmuar ato në normalizimin e marrëdhënieve, por duhet të them që shpejtësia e procesit dhe rezultati i procesit nuk varen nga Bashkimi Evropian, por nga palët.

Kur shikoj prapa te mandati im, ka pasur rezultate konkrete, si: njohja e dokumenteve të identifikimit, njohja e targave, marrëveshja shumë e rëndësishme multimilionëshe për energji. Që nga fillimi i këtij viti, ne e kemi një situatë standarde ku njerëzit janë të regjistruar dhe ata paguajnë për energjinë, energjinë elektrike që konsumojnë.

Por, natyrisht, arritja më e rëndësishme është marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, që u arrit dhe për të cilën u arrit pajtim vitin e kaluar në Ohër. Me këtë marrëveshje, nuk ka më nevojë për negociata, por për zbatim.

Dhe, po, fatkeqësisht, zbatimi nuk ka nisur seriozisht. Janë bërë disa gjëra, por natyrisht që marsin e vitit të kaluar në Ohër unë prisja që do të kishim më shumë sukses. Pse nuk po ndodh kjo? Mos e pyesni ndërmjetësuesin, pyetini palët.

Por, natyrisht, ata duhet ta bëjnë pjesën e tyre. Dhe, nëse nuk dëshiron ta bësh pjesën tënde, atëherë kërkon justifikime. Por, asgjë nuk i pengon as Kosovën e as Serbinë që ta bëjnë atë për të cilën janë zotuar në Ohër. Dhe, është e shkruar qartësisht… ky dokument është publik.

Përsëri, nëse më pyesni mua, problemi është se të dyja shoqëritë nuk janë gati për normalizim. Nuk shoh ndonjë shtyrje nga brenda, nga partitë politike, nga akademia, nga shoqëria civile, që të kërkojnë që udhëheqësit të bëjnë përparim drejt normalizimit. Përkundrazi, sa herë që ka një marrëveshje, ka më shumë kritika se janë bërë lëshime. Udhëheqësit nuk inkurajohen të bëjnë përparim drejt normalizimit.

Pra, duhet të punojmë për ta ndryshuar mendësinë. Njerëzit duhet ta kuptojnë se normalizimi nënkupton kompromis. Normalizimi nënkupton fitim të ndërsjellë. Normalizimi nënkupton që marrëveshja të mund t’i prezantohet publikut dhe parlamenteve, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related