Në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca e radhës për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ngjarje e ndodhur më 1 nëntor 2019.
Gjatë seancës, Prokuroria e Posaçme ka paraqitur provat shkresore ndaj dy të pandehurve, Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj. Prokurori i çështjes bëri me dije se janë dorëzuar 67 fashikuj me materiale hetimore, të cilat përmbajnë të dhëna sensitive.
Organi i akuzës kërkoi që seanca të zhvillohej me dyer të mbyllura, duke argumentuar se një pjesë e provave lidhen me komunikime të zbardhura nga aplikacioni i enkriptuar Sky ECC dhe përbëjnë sekret hetimor, i cili nuk është bërë publik deri më tani.
Trupa gjykuese pranoi kërkesën e SPAK dhe vendosi përjashtimin e mediave gjatë kësaj faze të procesit, ndërsa leximi i fashikujve vijoi pa praninë e gazetarëve.
Procesi pritet të vijojë në seancat e ardhshme me shqyrtimin e plotë të provave dhe pretendimeve të palëve.
