Preng Doda filloi të merrej me bujqësi në vitin 1985, kur Shqipëria ishte ende një shtet komunist, por vetëm dhjetë vjet më parë nisi të merrej me prodhimin e verës. Tani 69 vjeç, Doda kultivon rrush në dy hektarë tokë në fshatin Tenë, pjesë e veriut malor të Shqipërisë. Ai ndërtoi një kantinë vere nga kursimet e tij dhe bleu ose huazoi pajisje të përdorura për të prodhuar verën. Klima është më e ftohtë se në jug, por Doda është këmbëngulës dhe hardhitë japin fryte. Ishte e njëjta këmbëngulje që e ndihmoi Dodën të siguronte fonde në vitin 2022 nga Bashkimi Evropian për të përmirësuar kantinën dhe pajisjet e tij të prodhimit. “Projektin e përgatita me disa specialistë”, tha ai. “Kriteret ishin shumë të vështira për t’u përmbushur.” Si një vend kandidat për anëtarësim në BE, Shqipëria kualifikohet për dhjetëra milionë euro në vit grante nga Instrumenti i Asistencës së Para-Aderimit në Zhvillimin Rural të bllokut, IPARD. Por ashtu si fqinjët e saj dhe kolegët kandidatë për anëtarësim, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, Shqipëria po përpiqet t’i shpenzojë grantet e ofruara brenda afatit kohor të përcaktuar nga BE-ja. Suksesi i Dodës është larg normës. Në fakt, fermerët e vegjël shpesh hasin vështirësi me dokumentet dhe me gjetjen e kapitalit që duhet të grumbullojnë për t’u kualifikuar. Problem është edhe korrupsioni.

Fondet e papërdorura kthehen
Disa fermerë me të cilët foli “BIRN” thanë se nuk ishin në dijeni se mund të kualifikoheshin për grantet e BE-së. Në Shqipërinë perëndimore, një fermer veteran që kërkoi të identifikohej vetëm me emrin e tij, Kasemi, tha se kishte nevojë për mbështetje nga shteti në prodhim dhe shitje, por se nuk kishte marrë asnjë informacion për programin IPARD. “Në Shqipëri koha e fermerit është e zënë dhe ai është i zënë gjatë gjithë ditës”, tha Kasemi. “Nuk ka kohë që një fermer të jetë në telefon apo para televizorit. Kështu që nuk kam marrë asnjë informacion. Nuk është se ka pasur ndonjë fushatë në fshat për të na prezantuar me këtë projekt. Të paktën jo në fshatin tonë.” Në Koçani, në lindje të Maqedonisë së Veriut, Bozhidari, i cili gjithashtu kërkoi të identifikohej vetëm me emrin e tij, tha se kurrë nuk kishte aplikuar për fondet e BE-së. “Nuk kisha informacion të saktë, kështu që nuk e kisha idenë se mund të aplikoja për këto grante”, tha ai për BIRN. Kur i hodhi një sy, ai tha se kishte përshtypjen “kërkohej shumë dokumentacion” dhe se ishte e vështirë për t’u kuptuar. Në Malin e Zi, i cili është shumë i varur nga importet dhe ka nevojë për investime të mëdha bujqësore, të dhënat nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se 80 për qind e fondeve IPARD u shkojnë kompanive dhe jo fermerëve të vegjël, pavarësisht faktit se kompani të tilla përbëjnë vetëm dy për qind të totalit të numrit të përgjithshëm të fermave të regjistruara. Sipas programit IPARD II, Mali i Zi kishte të drejtë për një financim prej 52 milionë eurosh ndërmjet viteve 2014 dhe 2024, 80 për qind e këtij financimi nga BE-ja. Deri në fund të vitit 2023, rreth 35 milionë euro u ishin shpërndarë fermerëve, sipas shifrave të qeverisë, duke bërë që Komisioni Evropian – krahu ekzekutiv i BE-së – ta zgjasë kohëzgjatjen e projektit deri në fund të vitit 2024. Vendi tashmë ka kthyer 1.7 milion euro fonde të papërdorura në 2021 dhe 2022.

Reagimi BE
Ministria e Bujqësisë fajësoi praktikën mes furnitorëve për rritjen e çmimit të makinerive dhe pajisjeve menjëherë përpara ose gjatë çdo thirrjeje publike për aplikime, që do të thotë se fermerët duhet ta paguajnë diferencën nga xhepat e tyre. Por duke folur për BIRN në tetor të vitit të kaluar, delegacioni i BE-së në Mal të Zi tha se dy thirrjet e fundit publike për aplikime kishin shfaqur interes në rritje, me një numër të lartë aplikimesh me cilësi më të mirë. “Fermerët dhe agrobizneset tani po aplikojnë me plane biznesi të zhvilluara më mirë”, tha delegacioni. “Numri i aplikimeve të pakompletuara me dokumentacion të mangët, një problem i madh, sidomos në thirrjet e para të programit, tashmë ka rënë.” Sipas këstit të ardhshëm të programit, IPARD III, do të vihen në dispozicion edhe më shumë para – 60 për qind më shumë se në IPARD II. “Procesi i mësimit në nivele të ndryshme (prodhues, përpunues, furnitorë, administratë kombëtare) ka marrë pak kohë, por fushatat e shumta informuese të organizuara nga Ministria e Bujqësisë në të gjithë vendin tani kanë dhënë rezultat”, tha delegacioni.
