“Gjithçka ndodhi për një minutë” – Dëshmitari rrëfen plagosjen e 26-vjeçares nga babai i saj në Durrës

Data

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur pak ditë më parë në Durrës, ku 26-vjeçarja Xhensila Ndoj u plagos nga babai i saj, Mikel Ndoj.

Një koleg i vajzës, i cili ishte dëshmitar i ngjarjes, ka deklaruar se gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe se veprimi dukej i paramenduar. Sipas tij, autori u largua nga vendi i ngjarjes me qetësi, pa shfaqur shenja paniku apo tronditjeje.

“Gjithçka ndodhi për rreth një minutë. U përplasën verbalisht, ai e goditi dhe më pas u largua. Iku me hapa të ngadaltë, pa asnjë shenjë emocioni. Madje u pa duke pastruar mjetin që kishte me vete,” tregoi dëshmitari.

Ai shtoi se konflikti nuk ishte i rastësishëm, por i akumuluar prej vitesh. Sipas tij, babai ushtronte presion të vazhdueshëm ndaj vajzës, duke e konsideruar si pronë të tij dhe duke mos ditur të komunikonte me të.

“Situata ishte e rënduar prej kohësh. Ai vinte shpesh, ushtronte presion psikologjik. Ishte një problem familjar i mbartur ndër vite. Ngjarja ishte e planifikuar, sepse erdhi në zyrë dhe nxori menjëherë mjetin,” tha ai.

Dëshmitari bëri me dije se të gjitha detajet janë dhënë në polici dhe se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer vëmendjen te dhuna në familje dhe pasojat e rënda të konflikteve të pazgjidhura në kohë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related