Familjarë, të afërm, kolegë dhe qytetarë të Vlorës zhvilluan homazhe në nderim të gazetarit Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën pas një aksidenti me motor.
Ceremonia përkujtimore u mbajt pranë bregdetit, një vend me të cilin, sipas familjarëve dhe miqve, gazetari kishte një lidhje të veçantë. Në këtë hapësirë u vendosën lule në kujtim të tij, ndërsa u vendos edhe emri i gazetarit si një shenjë simbolike përkujtimore.
Enrik Mehmeti humbi jetën mbrëmjen e së shtunës pas një aksidenti me motor në zonën e Zvërnecit. Ngjarja ngjalli reagime dhe mesazhe ngushëllimi nga familjarë, kolegë dhe përfaqësues të komunitetit të gazetarëve.
Gazetari la pas bashkëshorten dhe dy fëmijët. Kolegët dhe të afërmit e kujtojnë për angazhimin e tij në profesion dhe kontributin në informimin e komunitetit të Vlorës.
