Robert Duvall, aktori fitues i çmimit Oscar dhe një nga figurat më të mëdha të kinemasë amerikane, ka ndërruar jetë në moshën 95-vjeçare. Ai u shua paqësisht në shtëpinë e tij në Middleburg, Virginia, sipas një deklarate të publikuar nga bashkëshortja e tij, Luciana Pedraza.
Duvall do të kujtohet përgjithmonë për rolin e Tom Hagen në sagën ikonike The Godfather, ku interpretoi këshilltarin e familjes Corleone. Ai u rikthye në The Godfather Part II, por nuk mori pjesë në filmin e tretë për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi pagesën.
Karriera e tij gjashtëdekadëshe përfshin role të paharrueshme në filma si Apocalypse Now, ku interpretoi kolonelin Kilgore dhe dha frazën legjendare “Më pëlqen aroma e napalmit në mëngjes”, si edhe në Tender Mercies, rol që i solli çmimin Oscar për Aktorin më të Mirë.
Ai u shfaq gjithashtu në filma të rëndësishëm si To Kill a Mockingbird, MASH, Network, THX 1138, si dhe në prodhime më të vonshme si The Judge.
I lindur në San Diego, Duvall studioi aktrim në Nju Jork nën drejtimin e Sanford Meisner dhe ndau fillimet e tij me emra që më vonë do të bëheshin legjenda të Hollivudit.
Përveç aktrimit, ai ishte edhe regjisor dhe skenarist, duke realizuar filma si “The Apostle” dhe “Assassination Tango”. Në vitin 2004 u nderua me Medaljen Kombëtare të Arteve.
Familja ka bërë me dije se nuk do të ketë një ceremoni zyrtare, por ka ftuar admiruesit ta nderojnë kujtimin e tij duke parë një film të mirë, duke treguar histori mes miqsh apo duke shijuar bukurinë e natyrës – ashtu siç ai vetë e dashuronte jetën.
