Hetimet për aferën e AKSHI-t, SPAK thërret Xhenila Tamizin

Data

Xhenila Tamizi, administratore e kompanisë “Horizon” të biznesmenit Ermal Beqiri, është paraqitur në SPAK për të dhënë shpjegime mbi transaksione dhe pasuri të dyshuara në kuadër të hetimeve për aferën e AKSHI-t.

Sipas dosjes, në emër të saj rezulton i regjistruar një jaht luksoz “Predator 50 Skyfall”, i sekuestruar nga SPAK në portin e Durrësit, ndërsa dyshohet se kontrollohej realisht nga Beqiri.

Dyshimet për skemë financiare

Nga hetimet rezulton se Tamizi ka qenë e përfshirë në procesin e rekrutimit të stafit në kompaninë “Soft & Solutions”, por kontratat e punës lidheshin me një tjetër shoqëri, “EA Solutions”. Prokuroria dyshon se kjo kompani është përdorur për të kanalizuar pagesa drejt Ergys Agasit, pa aktivitet real ekonomik.

Sipas materialeve hetimore, një pjesë e konsiderueshme e fondeve të tenderave të teknologjisë – me vlerë dhjetëra milionë euro – ka përfunduar te kompani të lidhura me Agasin dhe Beqirin. Vetëm nga procedura me fond limit rreth 59 milionë euro, rreth 29 milionë euro dyshohet se kanë kaluar në favor të “EA Solution”.

AKSHI në qendër të hetimeve

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, që menaxhon prokurimet e teknologjisë për institucionet publike, ka administruar rreth 537 milionë euro fonde që prej vitit 2017. Hetimi po verifikon nëse procedurat janë manipuluar përmes kritereve diskriminuese, fryrjes së fondeve dhe faturimeve fiktive.

Deklarimet e Tamizit pritet të jenë kyçe për zbardhjen e rrjedhës së parave, pronësisë reale të aseteve dhe rolit të kompanive të përfshira në atë që konsiderohet një nga çështjet më të mëdha të dyshuara të korrupsionit në sektorin e teknologjisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related