Politologu Ermal Hasimja ka analizuar sfidat e opozitës shqiptare dhe arsyet pse, sipas tij, ajo nuk arrin të fitojë zgjedhjet.
Në podcastin “Përshtjellim” të Ilir Kalemajt, Hasimja u shpreh se problemi më i madh i opozitës është mungesa e shpresës te qytetarët.
“Shpresa po braktis Shqipërinë,” tha ai, duke theksuar se pa një projekt politik që frymëzon votuesit, opozita nuk mund të mobilizojë mbështetësit e saj dhe as të tërheqë votuesit e pavendosur.
Sipas Hasimjes, që opozita të fitojë zgjedhjet duhet të ndodhin disa faktorë njëkohësisht: ulja e pjesëmarrjes së votuesve të majtë, mobilizimi i plotë i votuesve të saj dhe tërheqja e shumicës së votuesve abstenues dhe të pavarur.
Ai shtoi gjithashtu se Partia Socialiste funksionon si një strukturë më e bashkuar, ndërsa e djathta është më plurale dhe shpeshherë e fragmentuar.
Hasimja përmendi si shembull edhe përplasjet mes figurave të opozitës për organizimin e protestave, duke theksuar se mungesa e unitetit e dobëson aksionin politik të saj.
