Këtë të hënë është hapur gara për drejtues të Policisë së Shtetit, drejtuesit e qarqeve si dhe shefave të komisariateve. Kështu duke filluar nga dita e djeshme aplikantët për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit kanë 7 ditë afat për të dorëzuar kandidaturat. Aplikantët do të vlerësohen nga një Komision i Posaçëm, që do të ketë në përbërje një zv/ministër të brendshëm, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Kandidatët që do të konkurrojnë për postin e Policisë së Shtetit do të plotësojnë disa kritere. Këto kritere janë: grada e rolit të mesëm drejtues, të ketë shtetësi shqiptare, të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë; të mos ketë marrë masat disiplinore brenda 5 vjetëve të fundit, të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse, si dhe të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit.
Hyn në fuqi ligji i ri për Policinë, kush ka 30 vite punë, mbyll karrierën 55 vjeç
Po ashtu, ligjit i ri për Policinë e Shtetit parashikon që efektivët të cilët kanë kryer 30 vite shërbim në Policinë e Shtetit, do të mund të mbyllin karrierën e tyre në moshën 55-vjeçare. Pas mbylljes së karrierës, ata do të përfitojnë 70 % të pagës deri në daljen përfundimtare në pension. Gjithashtu parashikohet që për çdo vit shërbimi mbi 30 vjet, masa e trajtimit rritet me 1% të pagës, por nuk duhet të kalojë 80% të saj. Ligji i ri i Policisë synon rifreskimin e trupës policore dhe kostot pritet të përballohen nga buxheti i shtetit.
Ministri i Brendshëm jep detajet
Ndërkohë ministri i ri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili është në detyrë prej gati 2 muajsh, ka vendosur disa qëllime, të cilat duhet të plotësohen në planin afatshkurtër dhe afatmesëm, i cili kufirin e ka të paktën deri në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhëm. Projekte të planifikuara që më parë, por që jo vetëm nuk do të kenë pengesë, por do të jenë qëllim i të paktën vitit të parë në detyrë. Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha gjatë një takimi informal me gazetarët pohoi se një risi do të jetë dhënia e posteve drejtuese vajzave apo grave të cilat përmbushin kriteret për të marrë këtë pozicion. Për ministrin Hoxha mbyllja e konkursit të gradave për një kohë të gjatë ishte penalizuese për brezin e ri, pasi me hapjen e tyre iu jepet mundësia të marrin poste drejtuese. Po ashtu një tjetër kriter për drejtuesit e rinj është edhe komunikimi me publikun për të cilin do të testohen. Hoxha u ndal edhe tek tre objektiva të cilët janë:
I pari, i cili tashmë ka nisur të jap frytet e para në mënyrë praktike ka të bëjë me ndryshimet në Policinë e Shtetit. Ligji i ri i bluve, i miratuar në seancën e fundit parlamentare të sesionit të shkuar, i jep mundësinë të gjithë të rinjve me ambicie për të pasur role drejtuese. Me gradat e reja në Policinë e Shtetit nuk priten vetëm rokada, siç ka ndodhur pothuajse në 20 vitet e fundit, por katapultim të një brezi të ri që mezi pret të kontribuoj në poste të larta. Gara për kryepolicin u hap këtë të hënë dhe kush e ka qëllim këtë post ka në dispozicion 7 ditë për të hedhur kandidaturën. Pas postit të drejtorit të përgjithshëm garë do të hapet për drejtuesit e qarqeve dhe departamenteve. Një pikë e fortë ku ministri Hoxha i kushton vëmendje është komunikimi me publikun. Drejtuesit e rinj pritet të testohen edhe në këtë drejtim, me synim transparencën. Nuk do të jetë habi që me emërimet e reja me konkurs, në mesin e drejtuesve të rinj të ketë edhe gra. Një grup elitash femra në Policinë e Shtetit kanë tashmë gradat e duhura dhe pritet të bëhen pjesë e aplikimeve.
