Ish-deputeti i PD, Halit Valteri ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Në një intervistë për “Top News”, Z.Valteri shprehet se politika shqiptare është e mbushur me pazare të pista, ku në fund përfitojnë financiarisht të gjithë. Sipas tij, Sali Berishës dhe Ilir Metës, u intereson status quo-ja, të jenë parti parlamentare dhe të mos lejojnë asnjë parti tjetër opozitare që të përfaqësohet në Parlament, dhe këta të rinj të qëndrojnë gjithmonë në opozitë, të kryejnë punët e tyre, pasi opozita është pjesë e pushtetit në të gjithë botën.
Valteri thotë se kullat e Zenit e të tjerëve do të vazhdojnë të merren nëpër Tiranë, bizneset e familjarëve të tyre do të vazhdojnë të lulëzojnë nëpër Tiranë, se nuk ka asnjë drejtor tatimesh që të kontrollojë bizneset e Shkëlzenit, Argitës apo Ilir Metës pasi kjo opozitë sipas tij i ka shitur dhe shpirtin Edi Ramës.
-Një politikë që në fakt, edhe aktualisht, është në një situatë tensioni dhe përplasje të forta e të vazhdueshme, për shkak se opozita ka nisur mosbindjen civile, duke mos marrë pjesë në komisionet kuvendore apo në seancat plenare, dhe në rastet kur paraqitet, duke synuar bllokimin e tyre. Si mendoni se do të ndikojë ky aksion i mosbindjes civile, e lançuar dhe e thirrur që nga zoti Berisha, i cili është në kushtet e arrestit shtëpiak?
Nuk ka mosbindje civile, por mosbindje militantësh në këtë rast. Flasim për një grusht njerëzish që ndjekin ende marrëzitë e Berishës dhe grupit të tij. Nuk ka një mosbindje civile në rrafsh të gjerë të shqiptarëve, pasi sot Shqipëria po hedh hapa drejt Europës dhe shqiptarët duan të jenë në Europë, larg retorikës përçarëse që ka ndjekur Sali Berisha dhe grupimi i tij. Refuzimi i marrjes pjesë në komisione, refuzimi i dialogut institucional dhe refuzimi i gjuhës së etikës institucionale tregon më shumë se gjithçka tjetër vizionin e kësaj opozite dhe parashikon rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme, që do të jetë katastrofike për grupin opozitar.
Sot po krijohet një alibi, pasi pas tetë muajsh do të jemi në një proces zgjedhor dhe do të kemi përballjen e një mazhorancë që, me të mirat e të këqijat e saj, do të japë llogari para shqiptarëve, teksa kërkon votëbesimin e tyre, qoftë me këto personazhe që ka, apo me eksponentë të rinj, siç po bëhet në PS, me programet e akademisë politike, deputetët që duan, dhe thirrjet që i bëhen diasporës për përfaqësim të ndryshëm të individëve të ndryshëm në politikë.
Ndërkohë, kemi një kamp opozitar që ka figura më të vjetra se vetë partia, ku e vetmja gjë që mund të marrë si shpërblim është një certifikatë nga libri Guinness për figurat 30-vjeçare që kanë marrë pjesë në Parlamentin e Shqipërisë dhe nuk kanë propozuar, qoftë edhe një projektligj, qoftë edhe një amendament, qoftë edhe një nismë si deputetë. Por ka kloun dhe manekinë, të cilët nuk manifestojnë qytetari, nuk manifestojnë institucionalitet, nuk manifestojnë asgjë tjetër, veç shkatërrimit, dhunës dhe një fytyre të plakur e të kalbur të një opozite shterpë që nuk prodhon asgjë tjetër përveçse ankesa, dhe politika që shqiptarët e kanë vlerësuar vit pas viti me rënie dhe nuk kanë pretenduar të jenë në forcë sfiduese ndaj mazhorancës.
-Javën e shkuar përcollën edhe protestën e thirrur nga PD, rreth 3 orë siç ata e kanë përkufizuar, si mosbindje civile, ndërkohë që lideri i opozitës, Sali Berisha, është shprehur se do të vijojë mosbindjen civile, ku ka 77 mënyra për ta vazhduar, deri në ngujim apo greva, përpos bllokimeve të rrugëve që janë diskutuar mes deputetëve të grupit parlamentar të PD. Mendoni se do të ketë aksione të tilla edhe më tej, apo mazhoranca do ta plotësojë kërkesën kryesore të tyre për një qeveri teknike dhe jo Rama kryeministër në prag të zgjedhjeve të 2025-ës?
