Bashkitë me fluks të lartë turistik, veçanërisht Saranda dhe Himara, përballen me kosto më të larta për menaxhimin e mbetjeve, si pasojë e rritjes së sasisë së tyre gjatë sezonit veror. Ky është një nga përfundimet e Raportit të Gjendjes në Mjedis 2025 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM).
Sipas raportit, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të menaxhimit të mbetjeve pas miratimit të Ligjit nr. 57/2025 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” dhe Ligjit nr. 74/2025 “Për përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesit”. AKM vlerëson se këto akte përafrojnë kuadrin ligjor kombëtar me standardet e Bashkimit Evropian dhe integrojnë parimet e ekonomisë qarkulluese.
Monitorimi i kryer në 15 bashki pilote tregon se zonat me aktivitet të lartë turistik mbajnë barrën më të madhe financiare për ofrimin e shërbimit të menaxhimit të mbetjeve. Sipas raportit, Saranda dhe Himara regjistrojnë kostot më të larta për frymë për shkak të rritjes së ndjeshme të mbetjeve gjatë pikut të sezonit veror.
Raporti evidenton gjithashtu përmirësime në ndarjen e mbetjeve në burim në disa bashki. Belshi, sipas AKM-së, ka rritur nivelin e ndarjes së mbetjeve nga 8% në 34.4%, duke shënuar një nga rezultatet më të larta mes bashkive të monitoruara.
Në fushën e tregtisë së mbetjeve, raporti tregon se gjatë vitit 2025 sasia e mbetjeve të eksportuara ra në 21,275 ton, krahasuar me 60,521 ton në vitin 2024.
Sipas AKM-së, reforma synon ta orientojë sistemin e menaxhimit të mbetjeve drejt riciklimit, përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit dhe ekonomisë qarkulluese. Megjithatë, raporti vëren se bashkitë turistike vijojnë të përballen me sfida financiare, pasi rritja sezonale e popullsisë sjell kosto shtesë për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve.
