“Guri i fundit i dominosë”, Lala: Pas GJK mund të nisë vala e arrestimeve

Data

Gazetarja Klodiana Lala ka paralajmëruar zhvillime të reja në çështjen që lidhet me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke deklaruar se SPAK ka siguruar prova të reja që mund të çojnë drejt një faze vendimtare të hetimit. Sipas saj, arrestimi përbën “gurin e fundit të dominosë” në këtë proces.

Lala tha se gjatë fundit të muajit dhjetor dhe ditëve të para të janarit 2026, prokurorët kanë kryer kontrolle në banesat e disa biznesmenëve të lidhur me çështjen, ku janë gjetur prova shtesë përveç rreth 60 mijë faqeve materiale që tashmë ndodhen në dosje. Ajo përmendi edhe kontrollin ndaj Arbër Abazit, i cili ka lidhje familjare me Ballukun, duke theksuar se hetimi ka hyrë në një fazë më të thelluar.

Sipas Lalës, SPAK pritet të paraqesë prova të reja në seancë, të mbledhura pas kërkesës fillestare dhe deri në zhvillimin e shqyrtimit gjyqësor. Ajo theksoi se mbetet për t’u parë se si do të ndikojë vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe cili do të jetë qëndrimi përfundimtar i SPAK pas këtij vendimi.

Gazetarja bëri me dije se Gjykata Kushtetuese pritet të marrë vendimin para një aktiviteti zyrtar në Strasburg, ndërsa theksoi se ky vendim do të ketë peshë të madhe ligjore dhe do të shërbejë si precedent për raste të ngjashme. Sipas saj, do të shihet nëse gjyqtarët do të veprojnë të pavarur nga presioni politik.

Lala u shpreh se, nëse Balluku do të jepte dorëheqjen, çështja do të merrte një tjetër drejtim, por në çdo rast vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të ketë pasoja direkte. Për çdo masë arresti, sipas saj, nevojitet autorizimi i Këshillit të Mandateve dhe më pas miratimi në Kuvend, përpara se SPAK t’i drejtohet gjykatës për masën e sigurisë.

Në përfundim, Klodiana Lala theksoi se SPAK ka shteruar pothuajse të gjitha rrugët ligjore dhe se arrestimi mbetet skenari i fundit i mundshëm. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të përcaktojë nëse kjo çështje do të hyjë në një fazë të re goditjesh apo do të marrë një tjetër drejtim procedural.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related