Debati mes Rogertit dhe familjes së Selinës ka vijuar edhe jashtë shtëpisë së “BBVIP”, pas deklaratës së bërë nga tezja e Selinës, e cila pretendoi se familja e Rogertit u kishte kërkuar para borxh.
E ftuar në “BBVIP Fan Club”, bashkëshortja e Rogertit reagoi me tone të qeta, duke shmangur përplasjen e drejtpërdrejtë. Ajo u shpreh se nuk dëshiron të krijojë një “Big Brother” paralel jashtë shtëpisë dhe refuzoi të komentojë në detaje çështjen e pretenduar të borxhit.
“Për pjesën e parave borxh nuk do të doja të komentoja, është diçka shumë private që nuk i përket publikut,” – tha ajo.
Sa i përket deklaratës së fortë të Rogertit drejtuar Selinës, ku ai u shpreh se “familja ime e ka mbajtur me bukë familjen tënde”, bashkëshortja e tij argumentoi se bëhet fjalë për një keqkuptim gjuhësor. Sipas saj, Rogerti ka vështirësi në shprehje në shqip për shkak se është rritur jashtë vendit, dhe disa fjali mund të tingëllojnë më të ashpra nga sa synohet.
Ajo theksoi se qëllimi i tij, sipas saj, ka qenë të tregojë afrimitetin që familjet kanë pasur ndër vite, jo të fyejë apo poshtërojë.
