Ditët e fundit plasi një sherr i fortë në distancë mes emisarit për Misione të Posaçme i SHBA-së Richard Grenell dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Të gjitha sulmet që nisi Grenell filluan vetëm disa ditë para zgjedhjeve në Kosovë. Ky veprim ishte qartë një përpjekjeje për të ndikuar në rezultatin zgjedhor. Ajo që gjithashtu evidentohet është se ky sulm i Grenell ka shërbyer për interesa të fuqive të tjera, duke përfshirë Edi Ramën dhe Aleksandër Vuçiçin, të cilët përfituan nga ky moment për të goditur Kurtin, duke u munduar të pengonin dominimin e tij në skenën politike kosovare dhe në Ballkanin Perëndimor. Një nga karakteristikat më të spikatura të Grenell është mbështetja e tij e drejtpërdrejtë për Serbinë.
Ai është shpesh i përfolur për qëndrimet pro-serbe në rajon dhe ka shprehur vazhdimisht qëndrime që favorizojnë interesat serbe. Nga ana tjetër, ai është gjithashtu një mik i ngushtë i kryeministri Edi Rama dhe ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në politikën shqiptare. Kjo aleancë e fortë e ka bërë Grenell një mjet të mundshëm për të ndihmuar interesat e Serbisë dhe Shqipërisë për të minuar ndikimin e Kurtit në Kosovë. Ky lloj përdorimi i Grenell ka ndodhur në kontekstin e një marrëdhënieje të ngushtë midis Ramës dhe Vuçiçit, që përpiqen të koordinojnë lëvizjet e tyre për të mbajtur stabilitetin politik në rajon, për sa kohë që ky stabilitet shërben interesave të tyre. Në të kaluarën, Grenell ka promovuar idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ku pjesë e këtij pazari ishte dhe Rama e Vuçiç. Në fund projekti u refuzua ashpër nga Kurti dhe shumë politikanë të tjerë kosovarë.
