Hetimet mbi tunelin e Llogarasë, një projekt me shumë polemika, kanë ngritur shqetësime të mëdha për korrupsionin dhe presionet politike që po ushtrohen mbi Prokurorinë e Posaçme, dosje për të cilën kanë nisur hetimet pas kallëzimit nga opozita në verë. Sipas burimeve, bëhet me dije se ka “presione të nëndheshme” ndaj SPAK që kanë si qëllim të ndikojnë në drejtimin e hetimeve dhe të minimizojnë implikimet e zyrtarëve të lartë, përfshirë Belinda Ballukun, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Por mësohet se prokurorët nuk do të tërhiqen dhe ua kanë bërë të qartë edhe shantazhuesve se kjo dosje është e qepur mirë me fakte, prova, fotot dhe denoncime.
Provat, fotot dhe denoncimet
Tunelin e Llogarasë, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj e cilësoi një mega aferë korruptive gjatë intervistës së Çim Peka Live, duke folur mbi disa takime në Turqi, që i frynë koston me 30 milionë euro që i shkuan një kompanie turke, e cila nuk bëri asnjë punim. Kostoja prej 30 milionë eurosh, konsiderohet si dëm ndaj buxhetit të shtetit. Sipas dosjes që çoi opozita në SPAK, kemi të bëjmë me një fitues të përcaktuar, pas një takimi në Ankara, të zhvilluar në datën 3 Qershor 2021, 21 ditë para rishpalljes së tenderit. Ka foto të Ballukut në këtë takim.
KLSH
Deponimet e ish-numrit 2 të qeverisë Arben Ahmetaj vërtetohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në të cilin citohet se zëvendëskryeministrja Balluku me anë të Aktit Normativ nr.17, datë 1 dhjetor 2022 dhe aktit normativ nr.19 datë 29 dhjetor 2022, miratoi ndryshime në buxhetin e shtetit për t’i shtuar 50 milionë euro ministrisë që drejtonte vetë. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se miratimi i akteve normative është bërë në tejkalim afati dhe pa analiza të detajuara. Sipas neni 101 të Kushtetutës së Shqipërisë:
“Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme”. Përdorimi i akteve normative për qëllime të cilat nuk kanë lidhje me nevoja emergjence të krijuara si pasojë e pandemisë, krizave energjetike apo fatkeqësitë natyrore krijojnë dyshime për qëllimin e vërtetë të tyre. Audituesit konstatuan pagesa pjesore të faturave, në kundërshtim me ligjin nr. 9936 datë 26.6.2008 “Mbi zbatimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe një nga pagesat është bërë pikërisht për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Sipas Spending Data, kompania turke “INTEKAR – ASL” me përfaqësues Abdulkadir Kart ish-deputetin dhe mikun e presidentit Erdogan, deri në 17 korrik 2024 është paguar 178 milion Euro nga Ministria e Infrastrukturës për punimet e tunelit të Llogarasë.
